Urdhërohet verifikimi i adresës për të paditurin, shtyhet gjykimi për vërtetim pronësie
Raporton: Genta PAJAZITI
Viti- Për shkak të mungesës të paditurit J.Xh. është shtyrë seanca përgatitore e së premtes në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, në rastin ku I.D. po kërkon nga i njëjti vërtetimin e pronësisë.
Gjykatësi Raif Fazliu ka konstatuar se meqenëse i padituri është me adresë të panjohur, gjykata zyrtarisht nga nënstacioni policor në Viti, do të bëjë verifikimin e adresës së të paditurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Fazliu, në rast se i padituri nuk jetojnë në territorin e Kosovës, do të vazhdojë me përfaqësimin e tij me përfaqësues të përkohshëm.
Në këto rrethana, seanca e sotme u shty ndërsa e radhës do të caktohet pas informacionit nga policia lidhur me adresat e të paditurit.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 21 tetor 2019, paditësi I.D, po kërkon që kërkesëpadia e tij të aprovohet nga gjykata dhe të vërtetohet se ai është pronar nga baza e shitblerjes dhe mbajtjes së pasurisë së ngastrës kadastrale me numër 0601-0, në sipërfaqe prej 587 metra katrorë, në zonën kadastrale Radivojc, e cila paluajtshmëri evidentohen në emër të paditurit J.Xh.
Sipas padisë, paditësi po kërkon nga gjykata që të obligohet i padituri t’ia njoh atij të drejtën e pronësisë, të cilën pretendon se babai i tij i kishte blerë në vitin 1972.
Në padi thuhet se çmimi kontraktues ishte përmbushur në tërësi dhe se që nga ajo kohë paditësi ka hyrë në posedim të saj. /BetimipërDrejtësi