Urdhërohet verifikimi i adresës ndaj të akuzuarës se nuk i lejoi ish-bashkëshortit kontaktin me fëmijët

Author

Raporton: Ermira HOXHA

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese ndaj të akuzuarës H.D, pasi nuk ka prova se është ftuar me rregull. Ajo po akuzohet se nuk ia lejoi ish-bashkëshortit kontaktin me fëmijët.

H.D po akuzohet se si person përgjegjës ka refuzuar ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë sipas të cilit ishte e detyruar që ish-bashkëshortit t’ia mundësojë kontaktin me fëmijët.

Një vendim i tillë është marrë pasi që e akuzuara H.D mungoi në seancën e së martës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e saj, gjykatësja Donikë Shala-Abdyli tha se gjykata nuk ka prova nëse e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë rezulton se adresa është jo e plotë.

Meqenëse nuk u plotësuan kushtet për mbajtën e kësaj seance, e njëjta është shtyrë dhe e radhës u caktua më 20 tetor 2021.

Aktakuza e ngritur në shtator të 2020-ës nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon H.D me veprën penale “mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, sepse prej datës 7 korrik 2016, e pandehura H.D si person përgjegjës ka refuzuar ekzekutimin e aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili më 15 qershor 2017 ka marrë formën e prerë nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës, me vendimet e lartcekura tani e akuzuara H.D është detyruar që ish-bashkëshortit, tani të dëmtuarit A.D, t’ia mundësojë kontaktin me fëmijët , ashtu që fëmijët t’ia dorëzojë dy herë në muaj dhe atë të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji prej orës 13:00 deri 15:00, kurse ditën e dytë gjatë festave fetare dhe shtetërore e po ashtu ditën e dytë të ditëlindjeve duke filluar nga ora 13:00 deri 16:00, edhe atë me ndërmjetësimin e organit të kujdestarisë në Qendrën për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Prishtinë.

Vepra penale “mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore” nga neni 394, paragrafi 1, të Kodit Penal, për të cilën akuzohet H.D dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.