Urdhërohet të sjelljet me detyrim në seancë i akuzuari se nën kërcënimin e thikës ia mori xhaketën nga trupi të dëmtuarit

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Për shkak se i akuzuari Liridon Avdullahu nuk e ka arsyetuar mungesën në seancën e paraparë për të martën, ndaj tij Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Avdullahu po akuzohet se në janar 2008-ës, duke përdorur thikën ia ka marrë xhaketën e lëkurës nga trupi të dëmtuarit Vigan Demollit dhe ka ikur në drejtim të panjohur dhe pastaj përmes vëllait të tij, Nuhi Abdullahut, ia kthen xhaketën.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Avdullahu, gjykatësi Sabit Sadikaj ka thënë se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo i njëjti mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, andaj edhe ndaj tij ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor ishin paraparë të dëgjoheshin i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Vigan Demolli dhe dëshmitari Shemsi Demolli, por të njëjtët kanë munguar.

Lidhur me mungesën e tyre, gjykatësi Sadikaj ka thënë se gjykata nuk ka fletëkthesë për të dëshmuar se të njëjtit e kanë pranuar ftesën.

E pranishme në këtë seancë ishte vetëm prokurorja Hava Krasniqi.

Në këto rrethana, seanca e së martës është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Sabit Sadikaj.

Aktakuza e përpiluar në tetor të 2008-ës, nga Prokuria Themelore Prishtinë, ngarkon Liridon Avdullahun se më 17 janar 2008, në kioskën e cila gjendet në shkollën e mesme “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë ka hyrë në kioskë dhe duke përdorur thikën, ia ka marrë xhaketën e lëkurës nga trupit të dëmtuarit Vigan Demollit dhe ka ikur në drejtim të panjohur.

Në aktin akuzues thuhet se më 21 janar 2008, përmes vëllait të tij Nuhi Abdullahut ia kthen xhaketën dhe ia dërgon në shtëpi, babait të viktimës Shemsi Demollit.

Me këtë, Avdullahu po akuzohet se ka kryer veprën penale “Grabitje”, nga neni 255 paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër e kjo e cila është e dënueshme me burgim prej një deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë