Urdhërohet të sjellet me shoqërim në seancë njëri nga të akuzuarit për kontrabandim të migrantëve nga Qendra e Azilit

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë –  Për shkak se i akuzuari Agron Bajraktari ka munguar pa arsye në seancë, ka dështuar seanca e së mërkurës ndaj të akuzuarve për kontrabandim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ndaj Bajraktarit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me shoqërim në seancë.

Në këtë rast, Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Gëzim Maqaj, Mujë Maçi, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu, akuzohen se në cilësinë e punëtorëve të sigurimit në kompaninë  “Rojet e nderit”, kishin kontrabanduar migrantët nga Qendra e Azilit në Magure, ku kishin pasur për detyrë sigurimin e këtij objektit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket mungesës së të akuzuarit Bajraktari, gjykatësi Avni Syla tha se ndaj tij do të lëshojë urdhëresë për sjellje me shoqërim, pasi që i njëjti kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.

I akuzuari Festim Maqaj tha se i njëjti ka rast vdekje, mirëpo gjykatën nuk e kishte njoftuar për këtë.

Në këto rrethana, seanca u shty për 26 janar 2022.

Ndryshe, seanca fillestare në këtë rast ishte tentuar të mbahej më 8 dhjetor 2021, mirëpo e njëjta ishte ndërprerë pasi që të akuzuarit kishin kërkuar të pajisen me shkresat e lëndës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 qershor 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Festim Maqaj, Albin Maqaj, Qazim Maqaj, Egzon Murtezi, Agron Bajraktari, Mehmet Dulla, Gëzim Maqaj, Mujë Maçi, Kushtrim Bytyqi dhe Durim Mëziu.

Ata akuzohen se me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë pasurore financiare apo të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, pas marrëveshjes paraprake në bashkëkryerje gjatë periudhës prill – gusht 2019 në vazhdimësi kanë bërë kontrabandimin e një numri të madh të migrantëve, personave azilkërkues të strehuar në Qendrën e Azilit në Fshatin Magure, Komuna e Lipjanit.

Sipas aktakuzës, të njëjtit iu kishin marrë shuma të konsiderueshme të të hollave për t’i dërguar deri në kufirin me Serbinë, e pastaj për të depërtuar në vendet në BE.

Ata akuzohen  se në cilësinë e personave zyrtarë, punëtorëve në kompaninë private “Rojet e nderit” në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, ashtu që gjatë periudhës prill – gusht 2019 në vazhdimësi kanë bërë kontrabandimin e një numri të madh të migrantëve, personave azilkërkues të strehuar në Qendrën e Azilit në Fshatin Magure, Komuna e Lipjanit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë