Urdhërohet të sjellet me shoqërim në seancë i akuzuari për arratisje nga burgu derisa ishte në vuajtje të dënimit

Raporton: Alban AHMETAJ

Istog – Mungesa pa arsye e të akuzuarit për arratisje nga Qendra Korrektuese në Dubravë, Luftrim Vishi, u bë shkak që të dështojë seanca fillestare e caktuar për të premten. Ndaj tij, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim në seancë.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Vishi, gjykatësi Petrit Nrecaj deklaroi se i akuzuari personalisht ishte paraqitur në gjykatë duke njoftuar lidhur me obligimin e dhënë nga policia që të paraqitet në gjykatë, ngase ndaj tij ishte në fuqi letë-rreshtimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Nrecaj tha se pas njoftimi të të akuzuarit ka caktuar seancën e premtes, por që edhe përkundër këtij fakti, i njëjti ka munguar, duke mos e arsyetuar mungesën e tij.

Në këto rrethana, gjykatësi Nrecaj ka marrë aktvendim duke e shtyrë seancën për kohë të pacaktuar, ndërsa ndaj të akuzuarit ka lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim, të cilën urdhëresë siç tha ai do ia drejtojë Stacionit Policor në Ferizaj.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 20 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë ndaj Luftrim Vishit, duke e akuzuar se më 29 korrik 2018, rreth orës 19:50, me dashje është arratisur nga institucioni i Qendrës Korrektuese në Dubravë, ku ka qenë në vuajtje të dënimit prej një viti.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në natën kritike përderisa kishte qenë i vendosur në pavijonin gjysmë të hapur në qendrën e lartcekur, për një moment është arratisur nga aty në drejtim të panjohur.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria” nga neni 405, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë