Urdhërohet të sjellet me detyrim i akuzuari se e kërcënoi me publikimin e fotove intime nëse nuk ia dërgon 1 mijë euro

Raporton: Genta PAJAZITI

Viti- I akuzuari, S.B. ka munguar sërish pa arsye në seancën e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, duke bërë që të dështojë seanca. Ndaj tij, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ai ngarkohet se ngacmoi të dëmtuarën duke hapur faqe në Facebook ku shkruan “Prostituta që shitet me para”, më pas i shkruan mesazhe fyese dhe e kanos me publikimin e fotove nudo nëse nuk ia dërgon 1 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Blerina Jakupi Ramadani, për të akuzuarin S.B. ka thënë se, ekzistojnë provat se është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar e as nuk ka kërkuar shtyrje të seancës.

Andaj ka dështuar seanca e së martës dhe ndaj tij gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Ndryshe, aktakuza e përpiluar më 7 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore në Gjilan, ngarkon S. B. se më 27 tetor 2019, në Viti, është përfshirë në një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme dhe ka komunikuar me të dëmtuarën B.H, me qëllim të ngacmimit.

Tutje thuhet se gjatë këtyre veprimeve, e ka vënë këtë të dëmtuar nën shqetësim të madh emocional, në atë mënyrë që në emër të saj hapë faqe të Facebook-ut dhe aty shkruan “Prostituta që shitet me para”, dhe më pas i shkruan sms, dhe përmes tyre e fyen me lloj-lloj fjalësh dhe e kanos se do t’ia publikojë fotot nudo të saj dhe të njëjtat do t’ua, dërgojë familjarëve dhe miqve të saj.

Të gjithë këtë, sipas aktakuzës kërcënonte se do e bënte nëse e njëjta nuk pranon që t’ia dërgojë 1 mijë euro, për të cilat ka pretenduar se e ka dëmtuar duke kërkuar prej tij që të sigurojë banesën për t’u takuar.

Sipas aktakuzës të dëmtuarën e ka sjellë nën frikë të arsyeshme dhe shqetësim të madh emocional se tani do t’i shkaktojë ndonjë të keqe më të madhe për shkak se ky edhe më parë e kishte ngacmuar këtë të dëmtuar për çka ajo edhe më përpara i kishte paraqitur rastet në polici.

Për këtë, S.B. po akuzohet se ka kryer veprën penale “Ngacmimi” nga neni 182, paragrafi 1, të Kodit Penal, vepër e cila është e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë