Ukë Rugova nuk e pranon fajësinë, deklarohet i pafajshëm

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Ukë Rugova së bashku me të pandehurit e tjerë në rastin e vizave u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës të së martës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Para vazhdimit të seancës fillestare, mbrojtësit e të akuzuarve propozuan shtyrjen e së njëjtës për arsyeje se nuk i posedonin të gjitha shkresat e nevojshme të lëndës. Ata gjithashtu shtuan se nuk iu është dhënë kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen për klientët e tyre.

Besnik Berisha, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, deklaroi se pikërisht të martën ka arritur të marrë CD-në e cila përmban 178 dëshmi të dëshmitarëve, andaj qëndron pranë kërkesës për shtyrje të seancës. Sipas Berishës, prokurori i çështjes Andrew Hughes nuk i ka përmbushur obligimet të cilat i takojnë.

Mendimit të avokatit Berisha iu bashkëngjiten edhe mbrojtësit e të akuzuarve Izet, Fitim dhe Azad Beqiri, me pretendimin se nuk janë të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

“E respektoj në tërësi të drejtën e mbrojtjes, posaçërisht për udhëzimin e klientëve të tyre në rrugë të duhur, mirëpo në anën tjetër duhet ta interpretoj ligjin”, tha gjyqtari i EULEX-it Vitor Pardal. Më pas i njëjti refuzoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e seancës për shkak të mos zvarritjes së procedurës.

Pardal vendosi që ndaj të akuzuarave të lartë përmendur të veçohet procedura, përfshirë edhe Liridona Beqirin, e cila mungoi për shkaqe shëndetësore. Tutje gjykimi vazhdoi për 16 të pandehurit të tjerë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Hughes, të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm ndaj veprave penale me të cilat ngarkohen.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.

Aktakuza e prokurorit Allen Cansick thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë