U mbajt shqyrtimi fillestar për ish punonjësen e IPKO-së e akuzuar për veprën penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së martës, ndaj ish punonjës së IPKO-së, Arbresha Hoti, e akuzuar për përvetësim gjatë detyrës zyrtare, palët dhanë fjalët e tyre fillestare.

Pas deklarimit të akuzuarës Hoti, se nuk e pranon fajësinë ashtu siç e ngarkon aktakuza, prokurorja e rastit, Ferdane Sylejmani, e rilexoi edhe një herë aktakuzën. Ajo shtoi se aktakuza është e mbështetur në prova dhe fakte dhe se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet fajësia e te akuzuarës Arbresha Hoti.

Tutje, mbrojtja e Arbresha Hotit, avokati Ramë Gashi, tha se aktakuza ndaj klientes së tij do të rezultoi jo e drejtë dhe e mangët. Ai shtoi se provat e paraqitura nga prokuroria do të dalin si të paqëndrueshme juridikisht. “Poashtu do të vërtetohet se aktakuza mbështetet vetëm në shënime të palës së dëmtuar (IPKO), dhe poashtu nuk ka prova tjera që do ta mbështeste pretendimin e së dëmtuarës kinse për dëmin e shkaktuar. Mbrojta qysh në fillim ka bërë kërkesë që kjo provë të sigurohet nga prokuroria por që është injoruar”, tha avokati Gashi.

Pasi që dëshmitarët Agron Bërbatovci, Jetnor Gashi, Rrezarta Tërnava dhe Kaltrina Shabani, nuk ishin paraqitur ne gjykatë, gjyqtarja Suzana Çerkini tha se seanca duhet të ndërpritet. Ajo tha se për seancën e radhës do të dërgohen edhe njëherë ftesat për dëshmitarët.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 17 nëntor, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2011 nga prokurorja Drita Hajdari, tani e përfaqësuar nga Ferdane Sylejmani, e pandehura Arbresha Hoti në cilësinë e personit zyrtarë, përkatësisht udhëheqëse e ekipit në kompaninë “IPKO”, me seli në Prishtinë, “Qyteza Pejton”, nuk e kishte kryer obligimin e saj që të hollat e pazarit të asaj pike të shitjes t’i deponojë në “Pro Credit Bank”, por të njëjtat i kishte përvetësuar e atë në shumën prej 31.622,34 eurosh.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë