U dënua nga shkalla e parë dhe e dytë, Supremja e kthen në rigjykim lëndën ndaj policit të akuzuar për falsifikim të dokumentit zyrtar

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Gjykata Supreme e ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të zyrtarit policor Erduan Banushi, avokatit Sevdail Robelli sipas detyrës zyrtare. Kështu, Supremja ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, duke ia kthyer lëndën gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

Banushi akuzohet se në janar 2018 ka falsifikuar dokumentin zyrtar, duke ndryshuar të dhënat e tiketës për kundërvajtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, deri më tani Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur tri aktgjykime të ndryshme, pasi që kjo çështje penale juridiko dy herë është kthyer edhe dy herë të tjera në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Gjilan më 21 nëntor 2018 e kishte dënuar Banushin me tre muaj burg me kusht.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte bërë mbrojta e të akuzuarit Banushi, me arsyetimin se aktgjykimi ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ka shkelje të Kodit Penal, si dhe për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal.

Gjykata e Apelit e Kosovës, më 6 mars 2019, kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit, kurse aktgjykimin e shkallës së parë e kishte kthyer në rigjykim.

Tutje, gjykata e shkallës së parë më 23 shtator 2019 e kishte liruar Banushin nga akuza për korrupsion, me arsyetimin se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale dhe se ka munguar qëllimi kriminal.

Gjykata e Apelit kishte gjetur se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale janë ngushtë të ndërlidhura edhe me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe që padyshim, drejtpërdrejt ky aktgjykim kishte ndikuar edhe në aplikimin e gabuar të ligjit penal, gjë e cila kishte mundësuar edhe shkeljen e tij. Kështu, Apeli e kishte kthyer lëndën përsëri në rigjykim.

Aktgjykimi i tretë nga Themelorja është shpallur më 18 shtator 2020, me të cilin Banushi u dënua me 6 muaj burgim. Ky dënim me pëlqimin e tij i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,200 euro.

E në paraqitjen e tij të tretë në Gjykatën e Apelit më 21 dhjetor 2021, zyrtari policor Erduan Banushi ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohej dhe ai të shpallej i pafajshëm. Kurse, prokuroria kishte kërkuar vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Ndërkaq, Apeli kishte marrë vendim me të cilin e kishte vërtetuar aktgjykimin dënues ndaj Banushit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtyre aktgjykimeve kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i Banushit, avokati Robelli, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që të ndryshohet ose të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Kurse, prokurori ka propozuar që kërkesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.

Por, Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, gjeti se me rastin e kërkesës e sipas detyrës zyrtare, aktgjykimet duhet të anulohen.

Në vendim e Supremes thuhet se në rastin konkret ka dyshim të konsiderueshëm lidhur me saktësinë e fakteve vendimtare të vërtetuara, pa eliminimin e të cilave pretendimet e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë për tani nuk mund të shqyrtohen.

“Në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë e as në aktakuzë, nuk shënohet se i dënuari ka qenë peron zyrtar andaj kjo gjykatë nuk është në situatë të vendosi se në veprimet e tij a qëndrojnë elementet e veprës penale për të cilën ngarkohet. Kjo ishte arsye që me rastin e kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë e konform nenit 439 të KPPK të merret vendim për anulimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, në mënyrë që në rigjykim të saktësohet fakti vendimtar se i dënuari a e ka pas apo jo cilësinë e personit zyrtar. Megjithatë, pasi që në aktakuzë nuk ceket se i dënuari ka vepruar në veti të personit zyrtar, gjykata në rigjykim duhet të kujdeset që mos të cenojë parimin reformaio in peius, siç përcaktohet me nenin 436 par.3 lidhur me nenin 395 të KPPK.”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë ndaj Erduan Banushit më 27 mars 2018, me dyshimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, zyrtari policor Erduan Banushi, më 8 janar 2018, në stacionin policor në Gjilan ka falsifikuar dokumentin zyrtar duke ndryshuar të dhënat në tiketën për kundërvajtje–fletëparaqitjen e zyrtarit policor, Skender Dushica, ndaj kundërvajtësit Arton Hyseni, duke shënuar në vend të nenit 188, i cili parasheh dënim me gjobë prej 100–300 euro, kishte shënuar nenin 118, ku i dënuari kishte paguar vetëm 10 euro përkatësisht, 50% të gjobës së paraparë prej 20 euro, sipas nenit 118. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë