Tre zyrtarët e Spitalit të Gjakovës mohojnë se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare

Skender Ndrecaj etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 8, 2021

Gjakovë – Skender Ndrecaj, ish-drejtor i infermierisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë tani infermier, Leonora Ymeraga, juriste në zyrën e personelit në këtë spital, si dhe ish-infermierja Fatmire Sahiti, të enjten, kanë dalë para Gjykatës Themelore në Gjakovë për t’u përballur me akuzat për korrupsion.

Prokuroria Themelore në Gjakovë të akuzuarit e lartcekur po i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, të tre të akuzuarit e lartcekur deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas kësaj, meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi Drilon Haraçia, i njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre, avokatët Gëzim Pozhegu, Prek Kola dhe Xhavit Osmani, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të parashtrojnë me shkrim kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Skender Ndrecaj dhe Leonora Ymeraga po akuzohen se në intervalin kohor duke filluar nga muaji maj e deri në muajin nëntor të vitit 2019, i pari në cilësi të drejtorit të infermierisë në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë dhe kjo e fundit në cilësi të juristes në zyrën e personelit në këtë spital, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për tjetrin si dhe t’i shkaktojnë dëm të tjerëve.

Tutje sipas aktakuzës, këtë ata dy e kanë bërë duke vepruar në kundërshtim me nenin 70 paragrafin 1 të Ligjit të Punës edhe pse përmes parashtresës së datës 07.05.2019 nga infermieri kryesor Liridon Marku kanë qenë të njoftuar se Fatmire Sahiti, e punësuar si infermiere instrumentare në traktin operativ me dhomë zgjimi nuk paraqitej në vendin e punës nga data 02.5.2019, nuk kanë ndërmarrë veprime për ta njoftuar menaxhmentin e spitalit për vazhdimin e procedurave ligjore për shkëputjen e kontratës së punës, me çka të akuzuarës Fatmire i kanë mundësuar marrjen e pagës edhe pse në periudhën kohore nga muaji maj e deri në muajin nëntor 2019 nuk është paraqitur në vendin e punës, përkatësisht nuk ka punuar,  me çka buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.

Për këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, e akuzuara Fatmire Sahiti, në cilësinë e personit zyrtar si infermiere ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare në mënyrë që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore si dhe t’i shkaktojë dëm të tjerëve, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 paragrafin 2 të Ligjit të Punës, paraprakisht nuk e ka njoftuar me shkrim menaxhmentin për shkëputjen e marrëdhënies së punës, ka inkasuar mjete materiale si pagë mujore për periudhën kohore nga muaji maj e deri në nëntor 2019 edhe pse gjatë kësaj periudhe kohore nuk paraqitej në vendin e punës, me çka buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi