Tre zyrtarët e aeroportit “Adem Jashari” nuk e pranojnë fajësinë për korrupsion, veçohet procedura ndaj të katërtit

IMG-7229
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Qershor 26, 2020

Prishtinë – Tre zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Faton Gurguri, Endi Bujupi dhe Visaj Xhekaj, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim detyre, në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Tre të akuzuarit po dyshohen se në cilësinë personave zyrtar të licencuar, operator për X-Ray, kishin keqpërdorur detyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Dulina Hamiti, tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe kanë deklaruar se nuk e pranojnë këtë aktakuzë.

Kështu, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Në këtë rast bashkë me Gurgurin, Bujupin dhe Xhekajn po akuzohet edhe inxhinieri i elektronikes dhe mbikëqyrësi automatik Martin Biserov Alekov, ndaj të cilët në seancën e së premtes është veçuar procedura, për shkak se i njëjti nuk ishte paraqitur në seancë.

Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, gjykata ia kishte dorëzuar ftesën në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, por nuk kishin prova nëse i njëjti e kishte pranuar atë në mënyrë të rregullt.

Tutje e njëjta bëri të ditur se, meqenëse nuk kishin informata nëse i njëjti gjendet në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh se rasti ka të bëjë me një vepër penale korruptive, si dhe për shkak të gjendjes së pandemisë, procedura ndaj këtij të akuzuari do të veçohet.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.

Prokuroria katër të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi