Tre të arrestuar në rajonin e Pejës pasi hapën lokalet në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës

policia-2-780x439
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ, Driton NOCAJ dhe Rita MAZREKAJ

Prill 1, 2020

Pejë – Tre arrestime ka realizuar Policia e Kosovës, të martën, në rajonin e Pejës.

Personat e arrestuar po dyshohet se kanë kryer veprën penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Kjo pasi që të njëjtit dyshohet se kanë hapur lokalet e tyre, në kundërshtim me masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës në kohë pandemie.

Dy prej arrestimeve kanë ndodhur në qytetin e Pejës, ndërsa një arrestim është realizuar në fshatin Daiq të Komunës së Klinës.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Ardiana Veseli.

Për arrestimet e tre të dyshuarve ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Rr. Ëesly Klark, Pejë 31.03.2020 – 09:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nuk i kishte zbatuar masat e qeverisë gjatë epidemisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt. Rr. Toni Bler, Pejë 31.03.2020 – 11:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nuk i kishte zbatuar masat e qeverisë gjatë epidemisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje. Fsh. Daiq, Klinë 31.03.2020 – 16:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nuk i kishte zbatuar masat e qeverisë gjatë epidemisë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje. “, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së virusit korona, ku ndër të tjera ka marrë vendim për mbylljen e lokaleve, kafiterive dhe restoranteve.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”. /BetimipërDrejtësi