Tre të akuzuarit pranojnë fajësinë se ishin rrahur në mes vete

ll1
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 7, 2019

 

Viti – Dy të akuzuarit për lëndim të lehtë trupor, Ramadan Hamiti dhe Muhamet Iski, si dhe i akuzuari për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, Riza Hysku, e kanë pranuar fajësinë, në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Viti.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sllavica Popoviq, tre të akuzuarit kanë pranuar se ishin rrahur mes vete, duke shtuar se tashmë ata janë pajtuar dhe se nuk kanë asnjë problem.

Me këtë pranim të fajësisë, është pajtuar prokurorja Popoviq, e cila ka thënë se është bërë në mënyrë vullnetare pa presion nga askush, e që është i bazuar në shkresat e lëndës.

Me aktvendim, pranimin e fajësisë nga ana e tre të akuzuarve e ka aprovuar gjykatësi Nexhat Aliu, i cili tha se shpallja e aktgjykimit do të bëhet brenda afati ligjor.

Ndryshe, i akuzuari në këtë rast është edhe Shaip Hamiti, por ndaj tij është veçuar procedura, ngase ai sipas njoftimit të Stacionit Policor, gjendet jashtë vendit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 14 gusht 2014, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Muhamet Iski, Ramadan Hamiti dhe Shaip Hamiti, akuzohen për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa Riza Hysku akuzohet për veprën penale “shkaktimi rrezikut të përgjithshëm”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuarit Riza Hysku, më 2 korrik 2014, rreth orës 22:00, në fshatin Lubishtë të Vitisë, me veprime dhe mjete të rrezikshme ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që duke ikur me automjetin e tij, të markës “Golf 4”, nga vendi ku paraprakisht ishte rrahur me të pandehurit tjerë të kësaj ngjarje, e nget me shpejtësi automjetin në fjalë dhe për pasojë e rrezikon seriozisht jetën e të pranishmëve, kurse të dëmtuarit Shaip Hamiti i shkakton lëndime të lehta trupore, pasi që të njëjtin me këtë rast, e kishte goditur në anën e majtë të trupit me anësoren e pjesës së djathtë të këtij automjeti.

Për shkak të këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, Riza Hysku, akuzohet se ka kryer vepër penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365, paragrafi l, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Ramadan Hamiti dhe Shaip Hamiti, akuzohen se në vendin dhe kohën e njëjtë, si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, në bashkëveprim, pasi që ishin dakorduar edhe me të miturin P.H, nga fshati Lubishtë i Vitisë, i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, të cilat kanë rezultuar me pasoja të përkohshme për shëndetin e të pandehurit të parë Riza Hysku dhe të katërt Muhamet Iski, sikurse edhe të dëmtuarit Blerim Hysku, në atë mënyrë që me shufra hekuri dhe shkop të bejsbollit, i godasin të njëjtit nëpër pjesë të ndryshme të trupit. Në aktakuzë thuhet së të pandehurit Riza Hyskut, Blerim Hysenit dhe Muhamet Iskit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore.

Me këtë, Ramadan Hamiti dhe Shaip Hamiti, akuzohen se në bashkëveprim si bashkë ekzekutorë kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1ë.4, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, i pandehuri Muhamet Iski, në ditën, kohën dhe vendin e përmendur si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, për shkak të ngjarjes së përshkruar në dispozitivin e përmendur, i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të cilat kanë rezultuar me pasoja të përkohshme për shëndetin të miturit P.H, në atë mënyrë që një tërfurk e godet atë në krahun e djathtë dhe parakrahun e majtë dhe më këtë rast i shkakton lëndime të lehta trupore.

Me këtë, Muhamet Iski, akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1.4, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi