TRE TË AKUZUARIT PRANOJNË FAJËSINË, DËNOHEN ME TRE MUAJ BURGIM ME KUSHT PËR RRAHJE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Tre akuzuarit Ilir Aliu, Nderim Aliu dhe Diamant Aliu, janë dënuar me nga tre muaj me burg me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda një viti. Iliri, Nderimi dhe Diamanti akuzohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor në bashkëkryerje”, ndërkaq i akuzuari Nderim Aliu rëndohet edhe me veprën penale “asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”. Tre të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë. Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë të premtën në Gjykatën Themelore në Ferizaj nga gjykatësja Hakile Ilazi.

Sipas pikës 1 të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 7 korrik 2014, Ilir Aliu, Nderim Aliu dhe Diamant Aliu akuzohen se më 11 korrik 2014, rreth orës 00:40, në rrugën “Ahmet Kaqiku”, përkaësisht tek Stacioni i Autobusëve në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje me tanimë të dëmtuarin Emri Rama, pasi ai e kishte ngacmuar motrën e të akuzuarve Aliu, të njëjtin e kanë goditur me grushta me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Ndërsa sipas pikës 2 të aktakuzës, Nderim Aliu akuzohet se të njëjtën ditë, pas mosmarrëveshjes me tanimë të dëmtuarin Emri Rama, të njëjtit ia kishte thyer xhamin e veturës me ç’rast ka kryer veprën penale “asgjësimi ose dëmtimi i pasurisë”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë