Tre të akuzuarit mohojnë fajësinë se penguan zyrtarët komunalë të hyjnë në shkollë për monitorim

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Tre të akuzuarit Adem Beqiraj, Hasan Hoxha dhe Remzush Beqiraj, janë deklaruar të pafajshëm se kanë penguar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Arsimit në Kamenicë, Drilon Ramabaja dhe zyrtarin për financa në këtë komunë, Visar Krasniqi, që të hyjnë në shkollën fillore të fshatit Kopernicë të Kamenicës që ta monitorojnë atë.

Këtë deklarim ata e kanë dhënë të mërkurën në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamencië, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi prokurorja Bahtie Ademi ua lexoi atyre aktakuzën, të akuzuarit kanë thënë se nuk i kanë njohur të dëmtuarit se janë persona zyrtarë dhe se nuk i kanë penguar fizikisht ata.

Pas kësaj, gjykatësi Sadri Krasniqi i ka njoftuar të akuzuarit se brenda 15 ditësh mund të bëjnë kërkesë për hudhjen e aktakuzës, provat në aktakuzë dhe ligjshmërinë e saj.

Prokuroria Themelore në Gjilan më 28 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Adem Beqirajt, Hasan Hoxhës dhe Remzush Beqirajt, me arsyetimin se ata në maj të këtij viti, në fshatin Kopernicë të Kamenicës, në shkollën fillore “Skënderbeu”, i kanë penguar personat zyrtar dhe atë ushtruesin e detyrës së drejtorit të Arsimit në Kamenicë, Drilon Ramabaja dhe zyrtarin për financa në këtë komunë, Visar Krasniqi.

Sipas aktakuzës, derisa këta dy zyrtarë komunalë kishin shkuar në monitorimin e objektit të shkollës, në momentin që dëshirojnë të hyjnë brenda në shkollë, hasin në rezistencë nga të akuzuarit duke u vendosur fizikisht para derës së shkollës.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje dhe bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 401, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej tre muaj deri në tre vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë