TRE PUNËTORËT E “SECURITY CODE” DËSHMOJNË NË RASTIN KEK 2

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë– Arbër Krasniqi,Gazmend Elezaj dhe Fatlum Verbovci, punëtorë të kompanisë “Security Code”, janë tre dëshmitarët e rradhës që në seancën e së mërkurës dhanë versionet e tyre në rastin kundër të akuzuarve Sami Lushtaku, Arben Gjukaj, Hysni Hoxha,  Esat Tahiri, Milazim Lushtaku Driton Pruthi dhe Azem Duraku.

Menaxheri i sigurisë në këtë kompani, dëshmitari Arbër Krasniqi, gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit Paul Flynn, deklaroi se në kohën kur ka filluar punën në ”Security Code” nuk ka nënshkruar asnjë deklaratë në lidhje me specifikimin e punëve dhe detyrave, dhe se nënshkrimi që figuron në atë deklaratë nuk është e tij.  Megjithatë, i njëjti thotë se nuk e kundërshtuar atë deklaratë, pasi në njëfarë forme me dorëzimin e dokumentacionit për aplikim në punë u’a ka dhënë të drejtën kompanisë “Security Code”që t’i shfrytëzojë në tenderim për projektin e KEK-ut.  Lidhur me këtë deklaratë, prokurori Flynn tha se pajtimi i mëpastajshëm nuk e validon atë deklaratë e cila është nënshkruar pa autorizimin e personit në fjalë. Ndërka, në pyetjen nga mbrojtësi i të akuzuarit Milazim Lushtaku, avokati Artan Qerkini, lidhur me përmbajtjen e një sms-i gjatë marrjes në pyetje në polici me datën 11 dhjetor 2013, dëshmitari deklaroi se ky sms kishte në përmbajtje kërcenim dhe i njëjti i ishte derguar në momentin kur ende nuk kishte filluar punën në “ Security Code”, kërcenim i cili konsitonte në mospranimin e punës në këtë kompani.  Lidhur më këtë sms, avokati Bajram Tmava,mbrojtësi i të akuzuarit Driton Pruthi, i propozoi  trupit gjykues që  në mënyrë ex officio të kërkoi autorin dhe përbajtjen e këtij  sms-i pasi sipas të njëjtit është çështje kruciale për klientin e tij.

Pas tij, vazhdoi marrja në pyetje e dëshmitarit Gazmend Elezaj, të cilit poashtu i’u prezantua një deklaratë për të cilën i njëjti tha se nuk figuron nënshkrimi i tij. Megjithatë, Elezaj theksoi se kjo gjë nuk paraqet ndonjë problem, pasi me vet faktin se i ka dhënë të drejtë kompanisë “Security Code” që ta përdorë dokumentacionin personal  për projektin e KEK-ut,nënkupton që ka ekzistuar ai autorizimi. Po ashtu deklaroi se po t’i ishte ofruar që të nënshkruaj të njëjtën deklaratë të datës 23 mars 2013, do ta nënshkrunte,pasi e njëjta sipas tij nuk ka shkuar në dëm të tij.

Një gjë e tillë i’u prezantua edhe dëshmitarit tjetër, Fatlum Verbovcit, i cili potencoi se të njëjtin dokument e ka nënshkruar vet dhe se bëhet fjalë për një deklaratë të ekluzivitetit, pasi më të ishte specifikuar fokusi i punës vetëm për projektin e KEK-ut. Për vërtetimin e fjalëve të tij, prokurori Flynn kërkoi nga dëshmitari që të nënshkruaj në një fletë të bardhë, dhe të njejtin t’a krahasoj me nënshkrimin që figuron në deklaratën e 23 marsit, të cilën rezultoi se është i ndyshëm. Lidhur me këtë, dëshmitari Verbovci theksoi se nënshkrimin e ka ndryshuar kohët e fundit, por kjo sipas tij kjo mundet që të vërtetohet nga ekspertet.

Gjykatësi i kësaj çështje penale, Vladimir Mikula,theksoi se ështëi dukshëm ndryshimi mes nënshkrimit të deklaratës së 23 marsit dhe nënshkrimit të sotëm, gjë të cilën e ka vërtetuar edhe eksperti. Mikula theksoi se ekzistojnë dy mundësi: ose eksperti  nuk është ekspert ose dëshmitari nuk e  thotë të vërtetën para gjykatës, gjëqë sipas tij është shumë shqetësuese, pasi dëshmia e rrejshme paraqet vepër penale.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje, seanca e radhës u caktua për ditën e nesërme,me datën 21 prill në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, shtatë personat e akuzuar në lidhje me tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen kryetari i Skënderajit, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Që të shtatë të akuzuarit ,akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut,ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të’ mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerj’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë