TRE MUAJ DËNIM ME KUSHT PËR VJEDHJE TË PYLLIT

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Bashkim Aliu, i akuzuar për veprën penale “vjedhje e pyllit”, të enjtën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, është dënuar me burgim me kusht në kohëzgjatje prej tre muajve.

Aliu akuzohet se më 18 maj 2013 rreth orës 16:30, në Rajonin Ekonomiko Pyjor të fshatit Nerodime – Jezerc, në vendin e quajtur “Ngastra 26”, me qëllim të vjedhjes, kishte prerë me sharrë motorike 3 trungjë ahu të njomë, diametër 41-63 entimetra, me gjatësi 23-28 metra, me vëllim prej 7.34 metër kub, me të cilin veprim ka shkaktuar dëm në vlerë prej 990,90 euro.

Prokurori Ismet Rrahmani, tha se i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën, ndërsa lidhur me fajësinë ai ka deklaruar se e pranon fajësinë, por shtoi që këtë vepër e ka kryer për shkak të gjendjes shumë të vështirë ekonomike, pasi që nuk kishte mundësi tjetër se si t’i siguronte drunjët për familjen e tij pesë anëtarëshe.

Gjykatësja indivduale Hakile Ilazi, në vazhdim mori aktvendim me të cilin u pranua pranimi i fajësisë nga i akuzuari dhe gjithashtu duke u bazuar në propozimet e palëve në procedurë dhe duke pasur parasysh gjendjen ekonomike të të akuzuarit shpalli aktgjykim me të cilin i akuzuari Bashkim Aliu u shpall fajtor për veprën penale “vjedhje e pyllit” dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënimin me burgim me kusht në kohëzgjatje prej tre muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari nuk kryen vepër të njejtë apo vepër tjetëe penale brenda kësaj periudhe.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë