Tre muaj burgim me kusht për të akuzuarin për dëmtim të vulave zyrtare
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Zenel Reka i akuzuar për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare” është dënuar me tre muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se tani i dënuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej një viti.
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i pandehuri Reka pranoi fajësinë për veprën penale e cila i rëndohej me akuzën e ngritur nga Prokuroria. I pandehuri deklaroi se ka gjendjen e dobët ekonomike dhe se është mbajtës i familjes. Veprën penale tha se e ka kryer për shkak se ishte detyruar sepse ishte dimër dhe nuk kishte mundësi tjetër që të siguronte ngrohjen për fëmijët e tij. Gjykatësja e çështjes Hysnije Gashi duke u nisur nga ky fakt, me rastin e shpalljes së aktgjykimit deklaroi se ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese për të pandehurin sidomos gjendjen e dobët ekonomike.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Zenel Reka akuzohej për veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare”, sepse më 14 shkurt 2014, në shtëpinë e tij, në Ferizaj është konstatuar se në njëhsorin elektrik, ka dëmtuar vulën zyrtare – bllombën të vendosur nga punëtorët e KEDS-it. Bllomba ishte vendosur më 10 shkurt 2014 kur ishte bërë shkyqja për shkak të borxhit në shumë prej 290,90 euro, me ç’rast i pandehuri është rikyçur në mënyrë të paautorizuar.