TRE MUAJ BURGIM ME KUSHT DHE 200 EURO GJOBË NDAJ TË AKUZUARIT PËR VJEDHJE TË ENERGJISË ELEKTRIKE
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Isuf Xhemajli i akuzuar për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” pas pranimit të fajësisë u dënua me tre muaj burgim me kusht si dhe gjobë 200 euro.
I pandehuri, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzohej për veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale” sepse në shtëpinë e tij, në Ferizaj, gjatë kontrollimit nga ana e punëtorëve të KEDS, është konstatuar se në njehsorin elektrik për rreth kapakut nga ana e djathtë ishte futur shiriti filmik, duke penguar punën e diskut. Në këtë mënyrë energjia e shpenzuar nuk ishte regjistruar fare, duke dëmtuar KEDS-in në shumë prej 496,94 euro.
Pasi që prokurori i shtetit Visar Musa lexoi aktakuzën e ngritur kundër të pandehurit, lidhur me fajësinë për veprën penale që akuzohej ai deklaroi se është fajtor dhe pranoi fajësinë. Ndërkaq shtoi se është i papunë dhe nuk ka pasur mundësi të paguaj energjinë elektrike, dhe që për këtë arsye është detyruar të kryej këtë vepër penale.
Aktgjykimi ndaj tani të dënuarit Isuf Xhemajli u bë nga gjykatësja individuale e çështjes Hysnije Gashi, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.