Tre muaj burg ndaj të akuzuarit që pranoi fajësinë se ishte arratisur nga Burgu i Dubravës

20190917_110316
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Shtator 17, 2019

Istog Gjykata Themelore në Pejë, dega Istog, e ka dënuar me tre muaj burgim efektiv të akuzuarin për veprën penale “arratisja e personit të privuar nga liria”, Arsim Fazliu.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë gjykatësi Gani Rugova, i cili tha se i pandehuri lirohet nga shpenzimet procedurale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të së martës, i akuzuari para shpalljes së aktgjykimit, është deklaruar fajtor lidhur me veprën e cila i bie në barrë.

“E gjitha ka qenë e momentit. Shprehi keqardhje për atë që e kam bërë. Unë kam qenë në tip të lirë për shkak të sjelljeve të mira. Andaj, kërkoj nga gjykata të merr parasysh gjendjen time, pasi që edhe vetë nuk jam mirë me shëndet ngase i kam tri stenda në trup”, ka thënë i akuzuari.

Prokurori Muharrem Bajraktari, është pajtuar me pranimin e fajësisë nga i akuzuari, duke i propozuar gjykatës që pranimin e fajësisë t’i marrë si rrethanë lehtësuese.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë të ngritur më 27 shtator 2018, i pandehuri akuzohet me veprën penale të arratisjes së personit të privuar nga liria, nga neni 405 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza e ngarkon të akuzuarin se më 12 shtator 2018, rreth orës 18:30, me dashje arratiset nga Qendra Korrektuese në Dubravë.

Sipas aktakuzës, përderisa i pandehuri kishte qenë duke e vuajtur dënimin me burgim prej tri viteve e gjashtë muajve për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge” dhe veprën tjetër “Furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve”, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore Prishtinë, natën kritike i pandehuri duke qenë i vendosur në pavijonin gjysmë të hapur, për një moment është arratisur nga aty në drejtim të panjohur. /BetimipërDrejtësi