Tre dëshmitarë pritet të dëgjohen në gjykimin ndaj të akuzuarit për vjedhjen e energjisë elektrike në vlerë afro 90 mijë euro

drenas
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Qershor 9, 2021

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ka miratuar propozimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë si dhe propozimin e të akuzuarit Binaku, për dëgjimin e dëshmitarëve Bujar Ibrahimi, Osman Krasniqi dhe Kujtim Leku, në gjykimin ndaj Nysret Binakut, i cili po akuzohet për vjedhje energjisë elektrike në vlerë prej 89,663.11 euro

Gjykatësi Shefqet Baleci ka thënë se propozimet për dëgjimin e dëshmitarëve miratohen me qëllim të vërtetimit sa më të drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Ndryshe, në shqyrtimin kryesor të së mërkurës janë dëgjuar në cilësinë e dëshmitarëve dy zyrtar policor, Xhevxhet Sahiti dhe Valdet Krasniqi si dhe koordinatori i  KEDS-it në Drenas, Florim Hajdari.

Gjatë përshkimit të rastit, dëshmitari Sahiti ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë vërejtur aparate për prodhimin e Bitcoin dhe se muri i banesës kishte qenë i izoluar me pako të vezëve, ku më pas, ata kishin ftuar Sektorin e Kibernetikës, Drejtorinë e Përgjithshme në Prishtinë.

I pyetur nga prokurori Musa Mehaj nëse kishin marrë gjurmë të vijave papilare, dëshmitari u përgjigj se kishe qenë e pamundur, pasi aparaturat kishin qenë të pluhurosura dhe pjesa e plastikës përmbi kishte qenë me thumba.

Kurse, sa i përket marrjes së ndonjë gjurme në dorezën e derës apo dritares, dëshmitari ka thënë se  gjurmët kishin qenë të kontaminuara, pasi paraprakisht ishin prekur nga punëtorët  e KEDS-it si dhe nga banorët, brenda dhe jashtë.

I njëjti shtoi se nuk e dinte se e kujt kishte qenë banesa dhe se nuk e dinte arsyen se pse i akuzuari kishte hapur derën e jo dikush tjetër.

Tutje, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Valdet Krasniqi, i cili deklaroi se me të shkuar në vendin e ngjarjes, dera kishte qenë e mbyllur dhe nuk kishin tentuar të hapnin,  ku më pas kishte ardhur i akuzuari me nofkën “Leci” i cili e kishte hap derën me një kaçavidë.

Dëshmitari Krasniqi tha se nuk e kishte pyetur atë se pse po e hapte derën, pasi kishte qenë  kërkesë e KEDS-it, të cilët kishin dyshuar së është duke u shpenzuar rryma pa e specifikuar.

Sa i përket veprimeve hetimore për të konstatuar pronarin e banesës, dëshmitari deklaroi se kishte biseduar me ish-mbikëqyrësin e objekteve, Osman Kastrati dhe nuk ka arritur të marr informatë së kush është pronar i aparateve dhe i banesës.

Në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Florim Hajdari, i cili tha se kishte pranuar informata se në trafon e rrymës, në Poklek të Ri ishin paraqitur humbje të mëdha, për çka, ai bashkë me disa kolegë të tij kishin shkuar për të bërë kontroll në vendin e ngjarjes, me ç’rast kishin vërejtur një kabllo jashtë njehsorëve në katin e lartë ku nuk regjistrohej energjia.

Ai tha e në vendin e ngjarjes nuk e kishte parë të akuzuarin Binaku, meqë ishte larguar me të ardhur policia.

Seanca e radhës u caktua më 8 korrik 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 nëntor 2020 ka ngritur aktakuzë kundër Nysret Binaku, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 12 shtator 2020, në fshatin Poklek i Ri, Komuna e Drenasit, me qëllim që vetit t’i sjell përfitim të paligjshëm, ka vjedh energjinë elektrike duke e marrë dhe shfrytëzuar pa autorizim të KEDS-t,  si furnizues i autorizuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri kishte vepruar në atë mënyrë që ditën i incidentit gjatë kontrollit të kryer nga personat e autorizuar nga KEDS, është kyçur direkt pa njësor matës , me ç`rast i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës KEDS në shumë prej 89,663.11 euro.