Tre dëshmitarë në gjykimin ndaj tre zyrtarëve të Agjencisë së Pyjeve në Deçan të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare

Raporton:Belkize LOSHAJ

Pejë – Në procesin gjyqësor kundër Arif Demhasaj, Avni Sinani dhe Istref Tahiruka të akuzuar për veprën penale të ”shpërdorimit të detyrës zyrtare”, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë janë dëgjuar dëshmitarët Smajl Qerimaj, Nasim Haradinaj dhe Ilir Tahirsylaj.

Dëshmitarët deklaruan se me të akuzuarit kanë pasur vetëm marrëdhënie pune dhe nuk kanë pasur ndonjë mosmarrëveshje apo ndonjë vërejtje për ta.

Dëshmitari Nasim Haradinaj tha se janë në dijeni se viteve të fundit janë duke u shkatërruar hapësirat pyjore në Komunën e Deçanit. Ai tha se ky fakt është evident por, sipas tij, kjo nuk do të thotë së të akuzuarit janë shkaktarë të shkatërrimit të tyre.

Kryetarja e trupit gjykues Lumturije Muhaxheri, njoftoi se seanca e radhës caktohet më 21 tetor 2016, ora 9:30.

Sipas aktakuzës Arif Demhasaj, Avni Sinani dhe Istif Tahiruka si persona zyrtar të Agjencionit të Pyjeve të Kosovës (AKP) në Deçan kanë shkelur Ligjin për Pyjet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit edhe pse kanë qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve në pastrimin e pyllit nga ana e operatorit ekonomik ”Tini” me seli në Isniq këtë gjë nuk e kanë bërë dhe nga inspektori i pylltarisë është konstatuar se ky operator ka prerë ilegalisht trupa teknik, duke i shkaktuar dëme AKP-ës.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë