Trajtimi “sui generis” i lëndës dhe insistimi për pranim fajësie nga i akuzuari se përvetësoi mbi 12 mijë euro

viber_image_2020-01-10_16-00-26
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 10, 2020

Prishtinë – Prokuroria Themelore në Prishtinë, në shkurt të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj punëtorit të Stacionit të Autobusëve, Orhan Agushi, të cilin e ngarkonte se ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Ai akuzohet se shumën prej 12 mijë eurosh nga mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave nuk e ka dorëzuar në arkën e ndërmarrjes, por i ka përvetësuar për vete.

Për këtë rast, seanca fillestare ishte caktuar më 20 dhjetor 2016, por në mungesë të të akuzuarit, e njëjta ishte shtyrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, seanca fillestare është mbajtur pas më shumë se katër vjetësh, përkatësisht më 10 janar të vitit 2020.

Përveç që kjo lëndë ishte dashur të priste kaq gjatë për t’u trajtuar, si “sui generis” ka qenë edhe seanca e 10 janarit të këtij viti.

Për akuzën ndaj tij, fillimisht i akuzuari e ka mohuar fajsinë, por më vonë, pas konsultimit me mbrojtësen e tij, avokaten Saranda Keqekolla, ai është deklaruar fajtor.

Por, i akuzuari ka thënë se këto para atij i ishin vjedhur, dhe shumën e njëjtë e kishte kthyer te institucioni ku punonte.

“Po, po, e pranoj fajësinë”, tha ai, pas konsultimit me avokaten.

“Unë qysh ju njoftova edhe ma herët, sot jam njoftuar edhe me veprën penale për të cilën ka ardh me u gjyku i dyshuari. I njëjti deklaron se ashtu qysh e përshkruan prokuroria ka qenë situata, mirëpo i njëjti thotë se të hollat ju kanë vjedhur, të hollat ju kanë vjedhur në vendin e punës, dhe meqë ju kanë vjedhur dhe ky i ka kthy ato të holla. Kështu që e pranon akuzën e prokurorisë”, tha Keqekolla, e cila kërkoi nga gjykata që një pranim i tillë i fajësisë të aprovohet.

Mirëpo, këtë e kundërshtoi prokurori i çështjes, Ilaz Beqiri, i cili tha se kjo situatë nuk është pranim i fajësisë, sepse nëse paratë i janë vjedhur, sipas tij, do të thotë se i njëjti nuk i ka përvetësuar.

“Gjyqtar nuk është pranim jo. Nëse paret ju kanë vjedh i bjen që ky si ka përvetësu. Ky nuk o pranim i fajësisë avokate. Nëse ky thotë unë si kom marr, por mi ka vjedh dikush, atëherë nuk është pranim i fajit, nuk është përvetësim”, tha prokurori Ilazi.

Ai shtoi se është në diskrecion të gjykatës të vendos, mirëpo ky sipas tij, nuk është pranim i fajësisë.

“Por, paratë i ka kthy”, shtoi avokatja Keqekolla, duke insistuar që ky pranim i fajësisë të aprovohet nga gjykata.

“S’po di a po na plotësohen kushtet me u aprovu fajësia a jo, meqenëse i akuzuari po thotë që paratë ja kanë vjedh”, tha prokurori.

“Po se ka përmend kërkun që paret ju kanë vjedh”, shtoi gjykatësi Isuf Makolli.

Prokurori Beqiri tha se ndoshta i akuzuari ka nevojë të konsultohet ende me mbrojtësen e tij, por këtë e kundërshtoi avokatja, e cila tha se janë konsultuar mjaftueshëm.

“Do të thotë, definitivisht pe pranon, atëherë edhe prokurori pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit”, tha prokurori Beqiri.

Në fillim të seancës, gjykatësi i çështjes i dorëzoi atij aktakuzën, por që e njëjta nuk kishte të bashkëngjitur asnjë nga provat që përmbante lënda.

Me këtë aktakuzë, u shërbye edhe avokatja Keqekolla, e cila erdhi me vonesë në seancë dhe pas këshillimit e udhëzoi të mbrojturin e saj ta pranojë fajësinë, të cilën më pas e ka aprovuar gjykata.

Aktgjykimi në këtë rast, pritet të shpallet më 13 janar 2020, nga ora 09:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 20 shkurt 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Orhan Agushi, të cilin e ngarkonte me veprën penale, përvetësim në detyrë.

Sipas prokurorisë, Agushi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka përvetësuar pasurinë që i është besuar sipas detyrës zyrtare.

Prokuroria pretendon që në nëntor 2014, mjetet e grumbulluara nga shitja e biletave nuk i ka dorëzuar në arkën e ndërmarrjes, por i ka përvetësuar për vete.

Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri kishte dorëzuar vetëm shumën prej 390 euro, ndërsa kishte përvetësuar shumën prej 12.399 euro, të cilat pas fillimit të procedurës disiplinore, i ka kthyer në institucionin ku ka punuar. /BetimipërDrejtësi