Trajnimi i katër zyrtarëve të kabinetit të Kurtit në “Harvard”, i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 12 mijë euro

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Katër zyrtarët e kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti, të cilët me vendimin e Zyrës së Kryeministrit, kanë ndjekur trajnim në Universitetin e Harvardit, i kushtuan buxhetit të Republikës së Kosovës plot 15 mijë e 200 dollarë amerikan ose konvertuar në euro 12 mijë e 851 euro.

Sipas këtij vendimi, 12 zyrtarë/këshilltarë politik ishin dërguar për trajnim në Programin ekzekutiv arsimor online 3 javor (21 shtator – 12 tetor 2021) të Universitetit Harvard: “Udhëheqja e dizajnit të zgjuar të politikave: Qasje Multisektoriale ndaj Vendimeve Ekonomike”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Shuma e paguar nga Zyra e Kryeministrit për person ka qenë 3,800 dollarë amerikan, ndërsa shuma totale për katër persona ka qenë 15,200.00 dollarë amerikan ose e konvertuar në euro 12,851,00”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së për “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, lidhur me 8 zyrtarët/këshilltarët e tjerë, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë për “Betimi për Drejtësi” se Ministritë i kanë kryer veç e veç pagesat nga buxheti i tyre, por që nuk kanë dhënë ndonjë shumë të shpenzimeve për këta zyrtarë/këshilltarë.

Lidhur me bazën ligjore për dërgimin e këtyre zyrtarëve/këshilltarëve në trajnimin në Univeristetin e Harvardit, ZKM është përgjigjur se ky vendim është marrë me rekomandim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe me aprovimin e Kryeministrit Albin Kurti si dhe në pajtim me procedura tjera administrative të përcaktuara më Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe legjislacionin në fuqi.

Ndërsa, lidhur me kriteret e përzgjedhjes së këtyre zyrtarëve/këshilltarëve, nga ZKM janë deklaruar se kabineteve të Kryeministrit, zëvendëskryeministrit Bislimi dhe disa ministrive u është kërkuar që t’i propozojnë kandidatët që kanë qenë të përfshire në hartimin e programit të Qeverisë apo të cilët janë angazhuar në draftimin e politikave, strategjive dhe planeve sektoriale.

Sa i përket përzgjedhjes së tyre se kush ka vendosur për t’i përzgjedhur këta këshilltarë, në përgjigjen e ZKM-së thuhet se për përzgjedhjen e tyre ka vendosur Kryeministri për kabinet të tij, Zëvendëskryeministri i parë për kabinet të tij, Ministrja e Ekonomisë për kabinet të saj, Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë për kabinet të saj dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për kabinet të tij.

Sipas përgjigjes së ZKM-së, pagesat për këta zyrtarë/këshilltarë janë kryer nga kategoria “Mallra dhe Shërbime”, ndërsa Ministritë tjera i kanë kryer veç e veç. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë