Trajan Stanojeviq thotë se nuk e ka kryer veprën penale që i vihet në aktakuzë

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjilan – Trajan Stanojeviq, Drejtor i Shkollës Fillore “Marko Rajkoviq”, në Vërbovc, Komuna e Kllokotit, nuk e ka pranuar kryerjen e veprës penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, prokurori i shtetit Arben Kadriu i ka lexuar të pandehurit diapozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Kontrata e punës është lidhur me Drejtorinë e Arsimit, prandaj unë nuk e kam kryer atë vepër penale dhe nuk jam përgjegjës për asgjë” tha i akuzuari Stanojeviq

Gjyqtari Naser Maliqi i njoftoi palët se në afatin prej 15 ditësh kanë të drejtë t’i parashtrojnë kundërshtimet në lidhje me pretendimet e tyre.

Ndryshe, sipas pretendimit të prokurorisë i akuzuari Trajan Stanojeviq duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, nuk i ka kryer detyrat e përcaktuara me ligj. Prokuroria pretendon se i akuzuari ka qenë në dijeni se mësimdhënësi-djali i tij Mirosllav Stanojeviq, ka qenë në listën e pagave, por nuk i ka mbajtur fare orët e mësimit. Me këto veprime, prokurori konsideron se i akuzuari i ka mundësuar djalit të vet marrjen e rrogave prej muajit janar 2013 deri në shkurt 2014, duke i shkaktuar dëm Komunës së Kllokotit në shumën prej 1906.27 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë