Tragjedi në Gjilan, zyrtarja policore dyshohet se vrau dy prindërit, dy vëllezërit e më pas veten

policia_kosoves_299031
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Shkurt 18, 2020

Gjilan – Një zyrtare policore, dyshohet se ka vrarë dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, e më pas edhe veten.

Kështu, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj prokurorie, ngjarja ka ndodhur në orën 13:00 të së martës, ku një zyrtare policore ka vrarë katër anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se dyshohet se zyrtarja policore ka vrarë katër anëtarët e familjes së saj, e më pas veten.

Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen “Bujanina”, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.

Raportohet se në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipi mjekësor, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë.

“Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë”, thuhet në raport. /Betimipërdrejtësi