Tomë Gashi thotë se kanë informata se është ngritur aktakuza ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

11823013_845713218837745_1221049576188394757_o (2)
Author

Raporton: Medina KADRIU

Nëntor 19, 2020

Prishtinë – Avokati i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Tomë Gashi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se kanë informata se është ngritur aktakuza ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Muj me deklaru si avokati i OVL-UÇK që informata kemi që aktakuza ndaj zotit Gucati dhe Haradinaj është ngritur. Ka të bëjë me çështje të pengimit të drejtësisë dhe jo me çështje të krimeve të luftës apo krime që ndërlidhen me luftë. Arrestimi i tyre ka qenë me 25 shtator të këtij viti, lidhur me publikimin e dokumenteve që në tre raste i kanë sjellë persona të panjohur, e ku vërtetohet bashkëpunimi i prokurorisë për krime të luftës të Serbisë dhe të organeve të tjera të ndjekjes të Serbisë me Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Hysni Gucati u arrestua më 25 shtator në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Me 1 tetor ai kishte paraqitjen e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me 25 shtator u arrestua edhe Nasim Haradinaj, për të cilin më 26 shtator ishte bërë e ditur se është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas komunikatës të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, thuhej se është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,

Kurse, sipas fletë arrestit për Haradinaj të bërë publik më 26 shtator, thuhej se ekziston dyshimi se në konferencat për shtyp më 7, 16 dhe 22 shtator, Haradinaj ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike konfidenciale, në lidhje me punën e prokurorisë, si dhe thuhet se ka përmendur me emër dëshmitarë potencial, se ka dhënë informacion për vendbanimin e tyre dhe të dhëna tjera personale.

Tutje, thuhej se në konferencat e lartpërmendura, dyshohet se ai ka shpërndarë apo ka vënë në dispozicion për media informacione e dokumente jopublike e konfidenciale, jo publike që kanë të bëjnë me punën e prokurorisë, duke përfshirë emrat dhe detaje personale të dëshmitarëve potencial, duke i ekspozuar kështu këta persona ndaj kërcënimeve të mundshme për sigurinë e tyre. /BetimipërDrejtësi