Thyhen dhe demolohen zyrat e KBI në Kamenicë, dyshohet se u vodhën mbi 1 mijë euro
Raporton: Blerim JAKUPI
Kamenicë- Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka bërë të ditur se persona të panjohur kanë vjedhur e demoluar zyrat e Këshillit të BI-së në Kamenicë, ku dyshohet se janë vjedhur 1 mijë e 86 euro.
Kjo u bë e ditur përmes një postimi në Facebook nga BIK, ku thuhet se zyrat ishin gjetur të thyera mëngjesin e së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë njofton se sot rreth orës 9.00 janë gjetur të thyera dhe të demoluara zyrat e Këshillit të BI-së. Me këtë rast dyshohet për vjedhje dhe demolim të rëndë i të mirave materiale që gjendeshin në objektin e administratës së KBI-së në Kamenicë”, thuhet në njoftim.
Në këtë njoftim, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) në Kamenicë, Ferid Dërmaku ka bërë të ditur se këto zyra janë hapur dhunshëm.
“Objekti i KBI-së në Kamenicë është hapur dhunshëm nga dritarja në katin përdheses dhe janë thyer, demoluar, e hapur dhunshëm katër dyer të zyrave të administratës në katin e dytë tek zyra e kryetarit, sekretarit, arkëtarit dhe atë të depos, dhe se hajnat kanë hapur dhunshëm kasafortën e kyçur të arkës në zyrën e arkëtarit, ku ata konsiderohet se nga aty kanë marrë mjete në vlerë prej 1,086.30 euro”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Po ashtu, BIK njofton se rasti është raportuar në polici, ndërsa theksohet se personat që kanë thyer zyrat kanë demoluar dokumentacionin e arkivit të këtij Këshillit në zyrën e arkëtarit.
“Rasti është raportuar edhe në polici, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë incizimin dhe regjistrimin e dëshmive të mundshme në vendngjarje. KBI në Kamenicë apelon tek institucionet e sigurisë që rasti në fjalë të hetohet sa më shpejt që është e mundur dhe kryesitë e kësaj vepre kriminale të vihen para drejtësisë”, thuhet në fund të njoftimit..
Lidhur me rastin, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar komandantin e Stacionit Policor në Kamenicë, Florim Klaiqi, i cili ka deklaruar se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti me urdhër të prokurorit është iniciuar si vjedhje e rëndë.
“Është vjedhë një shumë e parave, ëshë demoluar objekti në fjalë dhe jemi duke u marrë me rastin. Jemi në hetim e sipër dhe për momentin nuk mundemi me dhënë informacion më të detajuar”, ka thënë Klaiqi. /BetimipërDrejtësi