Thaçi mbetet në paraburgim, i refuzohet propozimi për arrest shtëpiak apo lirim në një shtet të tretë

Raporton: Medina KADRIU

Në vendimin e marrë me 26 maj 2021, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka refuzuar propozimin e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, për lirimin e tij në arrest shtëpiak apo në një shtet të tretë.

Ky vendim është bërë publik në faqen zyrtare të Dhomave të   Specializuara në qershor të këtij viti.

Sipas vendimit, gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se paraprakisht është konstatuar se ekziston rreziku që Thaçi të arratiset në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij që rrjedhin nga pozitat e kaluara dhe të fundit që ai ka mbajtur.

Këto pozita sipas gjykatës, ai mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish- vartësve dhe personat e lidhur me Shoqatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe/ose personat dashamirës të UÇK-së, të cilët mund të jenë të gatshëm t’i japin atij qasje në burime dhe/ose ta ndihmojnë atë të arratiset, duke siguruar qasje në informacionet përkatëse dhe duke marrë fonde dhe mjete për të udhëtuar në disa vende përtej mundësive të Dhomave të Specializuara.

“Në mungesë të ndonjë zhvillimi ndërhyrës, këto gjetje vazhdojnë të jenë të vërteta aktualisht. Referencat e përgjithshme të mbrojtjes për kundërshtimet e saj ekzistuese janë të pambështetura dhe, në çdo rast, gjyqtarit të procedurës paraprake nuk i kërkohet të rishikojë argumentet e gjykuara më parë”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, përkujtohet se është vërtetuar se dijenia e  Thaçit për akuzat ndaj tij dhe mundësia e dënimit të rëndë në rast të një dënimi, rrit rrezikun e tij për t’u arratisur.

“Edhe nëse materialet e theksuara nga mbrojtja do të ishin relevante për vlerësimin e rrezikut të arratisjes, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se: (i) Mbrojtja i referohet pikëpamjes së z. Everts për aktivitetet e UÇK-së pas qershorit 1999, e cila nuk mbulon të gjithë shtrirjen kohore të akuzave kundër z. Thaçi duke pasur se krimet e supozuara do të kishin filluar së paku nga marsi 1998; (ii) Deklarata e z. Everts përmban elemente shfajësuese dhe inkriminuese; dhe (iii) sasia e kufizuar e materialeve të theksuara nga Mbrojtja nuk janë përcaktuese në lidhje me akuzat e ngritura kundër  Thaçi, duke pasur parasysh sasinë e konsiderueshme të materialeve që mbështesin dyshimin e bazuar mirë se Thaçi është penalisht përgjegjës për një sërë krimesh”, ka konstatuar gjykatësi Guillou.

Po ashtu, ai thekson se gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se më parë është konstatuar se Thaçi: (i) ka tentuar të minojë Dhomat e Specializuara dhe ka ofruar përfitime për personat e thirrur nga ZPS; (ii) [REDAKTUAR]; dhe (iii) vazhdon të ketë autoritet dhe ndikim në Kosovë.

“Është përcaktuar gjithashtu se rreziku në thelb i lartë i frikësimit ose ndërhyrjes për dëshmitarët dhe/ose anëtarët e familjes së tyre nuk mund të zbutet në mënyrë efektive duke u mbështetur vetëm në masat mbrojtëse. Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton më tej se dorëzimi i procesverbalit të procedurës paraprake, heqja e masave mbrojtëse dhe zbulimi i vazhdueshëm i materialeve rrisin më tej rrezikun e pengimit. Së fundi, kujtohet se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë,90 e cila, edhe pse në vetvete nuk është përcaktuese, ofron kontekstin kundër të cilit konstatimet kanë të bëjnë posaçërisht me  Thaçi duhet të merret parasysh”, thuhet në vendim.

Sa i përket kërkesës për një seancë dëgjimore me përfaqësues të qeverive të [REDAKTUAR), në vendim thuhet se Gjykata e Apelit ka gjetur se kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk kërkon një seancë dëgjimore me gojë nëse një aplikant kërkon të plotësojë garancitë e qeverisë me garanci gojore dhe se konsultimet, duke përfshirë një seancë dëgjimore, me një shtet të tretë janë të detyrueshme vetëm kur paneli synon të japë lirim të përkohshëm ose parashikon mundësinë e një gjëje të tillë.

“Gjykata e Apelit ka konfirmuar më tej diskrecionin e gjyqtarit të procedurës paraprake në lidhje me garancitë e Shteteve të Treta. Gjyqtari i procedurës paraprake vëren se Mbrojtja nuk ka ofruar ndonjë propozim të ri në lidhje me kërkesën e saj për lirimin me kusht të  Thaçi tek [REDAKTUAR], por thjesht përsërit propozimet e saj që më parë janë shqyrtuar dhe refuzuar. Gjithashtu, siç u tha më lart, gjyqtari i procedurës paraprake nuk është i bindur se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk mund të konsiderohet më proporcional. Gjithashtu nuk ka zhvillime të tjera ndërhyrëse lidhur me këtë çështje”, thuhet në vendim.

Për këto arsye, gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar  se nuk ka nevojë të kërkohen pikëpamjet e qeverive të [REDAKTUAR] në lidhje me lirimin e përkohshëm të  Thaçit në territoret e tyre përkatëse. Nga kjo rezulton se kërkesa për një seancë dëgjimore me këto shtete refuzohet.

Po ashtu, gjykata ka konstatuar se të gjitha kushtet e propozuara nga mbrojtja, nuk do të zbutnin rreziqet që ai i ka konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë