Gjilan – Kujtim Haziri është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tetë muajve për veprën penale “vjedhje e rëndë”. Shpallja e aktgjykimit është bërë të enjtën në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Haziri akuzohet se më 1 janar 2012 rreth ores 3:00, në lagjen Dardania në Gjilan me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, kishte hyrë në shtëpinë e Bedri Abdylit për të vjedhur. I akuzuari fillimisht kishte hapur dritaren e katit përdhesë dhe kishte hyrë brenda dhe kishte vjedhur ari, dy TV të tipit sony, dy llaptop si dhe shumë gjëra tjera. Më vonë sendet e vjedhura i ka shitur, ku arin ja kishte shitur Bashkim Kaqiut për çmim prej 5380 euro, ndërsa dy TV-të ja kishte shitur Bashkim Ibrahimit për çmimin prej 350 euro. Pas zhvillimit të hetimeve nga Njësia e Hetimeve të Stacionit Policor të Gjilanit dy TV-të dhe llaptopi janë gjetur dhe ju kanë kthyer të dëmtuarit. Në këtë mënyrë të dëmtuarit i kanë shkaktur dëm material në vlerë të pa caktuar.
Prokurorja Rozelinda Hasani, tha se i akuzuari e ka kuptuar aktakuzën, ndërsa lidhur me fajësinë ai ka deklaruar se e pranon fajësinë, por shtoi që këtë vepër e ka kryer për shkak që ka qenë nën ndikimin e drogës.
Gjykatësi individual Behar Ymeri, në vazhdim mori aktvendim me të cilin u pranua pranimi i fajësisë nga i akuzuari dhe gjithashtu duke u bazuar në propozimin e palëve në procedurë shpalli aktgjykim me të cilin i akuzuari Kujtim Haziri u shpall fajtor për veprën penale “vjedhje e rëndë” dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej tetë muajve.