TETË MUAJ BURGIM PËR TË AKUZUARIN PËR VEPRËN PENALE RREZIKIM NË VENDIN E PUNËS

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj –  Avni Nuhaj është dënuar me tetë muaj burgim efektiv në Gjykatën Themelore në Ferizaj pas pranimit të fajësisë për veprën penale “asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Para shpalljes së aktgjykimit u mbajt shqyrtimi gjyqësor, në të cilin sipas procedurës penale, menjëherë pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet dhe ky pranim u pranua me aktvendim nga ana e gjykatësit individual Mustaf Tahiri.

Ndërkaq të dëmtuarin në këtë rast, Sylejman Baliu, i cili ka vdekur gjatë kryerjes së punimeve në vendin e punës  e ka përfaqësuar bashkëshortja e tij, e cila deklaroi se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj të akuzuarit si dhe as nuk parashtroi kërkesën pasurore juridike për kompensimin e dëmit. Ajo tha se ngjarja që ka ndodhur ka qenë aksident dhe se as i akuzuari nuk ka dashur që kjo të ndodhte, si dhe tha se me tani të akuzuarin janë pajtuar dhe kanë raporte të mira mes vete.

Mbrojtësi i të akuzuarit Avni Nuhaj, avokati Jeton Berisha me rastin e marrjes së mendimit lidhur me dënimin propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të aplikohen dispozitat e nenit 75 dhe 76 për zbutje të dënimit, duke e arsyetuar këtë fakt me rrethanat lehtësuese që shkojnë në favor të të mbrojturit të tij. Ai ka theksuar se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, i akuzuari ka arritur pajtimin me palën e dëmtuar dh se në kohën kur kishte rrëshqitur dheu me ç’rast kishte pësuar me fatalitet i dëmtuari, i akuzuari kishte vepruar menjëherë për t’a ndihmuar atë dhe e kishte nxjerr nga dheu.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, e ngarkon të akuzuarin Avni Nuhaj me veprën penale “asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sepse më 22 shtator 2013, rreth orës 17:30 në fshatin Pleshinë e Ulët, në Ferizaj në cilësinë e personit përgjegjës – pronar i firmës NTSH “Liridoni com” nga pakujdesia nuk ka ndërmarr masat e nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke mos instaluar pajisjet mbrojtëse në atë mënyrë që deri sa punëtorët e eskavatorit kanë qenë duke hapur një kanal të kanalizimit ka filluar të shembet dheu në kanal, në të cilin ishte punëtori Sylejman Baliu, me ç’rast është mbuluar nga dheu dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë