Tentim vrasja në Bardhasan të Gjakovës, prokurorja kërkon dënimin e të akuzuarit, mbrojtja ricilësim të veprës penale

Josip Imeri foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 30, 2021

Gjakovë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku Josip Imeri po akuzohet për tentim vrasjen e Agron Drenit, në shtator të vitit 2020, në Bardhasan të Gjakovës.

Prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni, e cila fjalën e saj përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se pas administrimit të të gjitha provave është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Ajo tha se lëndimet të cilat i ka pësuar i dëmtuari janë vërtetuar me ekspert se kanë qenë të rrezikshme për jetë.

“Në qoftë se këto lëndime nuk do të trajtoheshin me kohë do të kishin pasoja fatale. Sipas ekspertëve këto lëndime janë shkaktuar në pjesë vitale të trupit”, tha prokurorja Beqiraj-Hyseni.

Ajo tha se nuk qëndron deklarimi i të akuzuarit se sulmin me thikë e ka bërë në vetëmbrojtje pasi që kjo nuk përputhet me provat materiale.

Në fund, ajo kërkojë nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoi, derisa kërkojë që si rrethanë rënduese të merret intensiteti dhe këmbngulja për kryerjen e veprës penale.

Edhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarit, avokati Meshari Selimaj, në fjalën e tij përfundimtare të cilën e dorëzoi në formë të shkruar, kërkojë nga gjykata që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënoi dhe se kërkojë kompensim dëmi.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Imeri, avokati Ndrecë Dodaj, i cili gjithashtu fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se shumë fakte për mbrojtjen nuk janë të  kontestueshme, mirëpo sipas tij, kontestuese është mënyra se si janë shkaktuar.

“Është një rrethanë te dashja, se a ka qenë me të vërtetë dashja e të pandehurit që ta privojë të dëmtuarin nga jeta. Shtrohet pyetja se të gjitha këto prova a e vërtetojnë dashjen.”, tha avokati Dodaj.

Derisa në lidhje me fjalën përfundimtare të prokurores tha se më tepër ka dëgjuar paragjykime se sa vlerësime reale.

Ai tha se në këtë rast nuk kemi të bëjnë me veprën penale “tentim vrasje”, por se kemi të bëjmë me veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.

“Të gjitha provat provojnë elementet objektive mirëpo jo dashjen. Ne mendojmë se këtu kemi të bëjmë me lëndim të rëndë trupor. Ky cilësim është si rezultat i vlerësimit të gabueshëm”, deklaroi tutje avokati.

Ai tha se dënimi i të akuzuarit është i pashmangshëm, mirëpo e ka lutur trupin gjykues që ta japin një vlerësim të saktë sa i përket ricilësimit të veprës.

Trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Drilon Haraçia, e ka caktuar 7 majin 2021 për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Josip Imeri po ngarkohet me veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 24 shtator 2020, rreth orës 22:25, në fshatin Bardhasan, Komuna e Gjakovës, me dashje tenton ta privoj nga jeta të dëmtuarin Agron Dreni nga po i njëjti fshat.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që si shkak i një mosmarrëveshje të atëçastshëm rreth lojës së bilardos, pasi që i dëmtuari kishte shkuar në finale e ku gjatë kësaj loje fillon fjalosja në mes tyre, me ç’rast ndërhyn dëshmitarët Luz Dreni, Krist dhe Nol Marku, Jozef Gjidoda, Pashk Gjoka dhe Robert Gjini dhe i kanë ndarë, i dëmtuari duke menduar se u qetësua situata ka vazhduar për ta bërë pagesën për pijen e tij e në këto momente papritmas i pandehuri nga xhepi nxjerr një thikë ushtarake dhe e godet të dëmtuarin katër herë mbrapa, një herë në regjionin e anës së majtë të qafës, dy herë ne regjionin e pasme të qafës dhe një herë ne regjionin e shpatullës së majtë, dhe me pas largohet nga aty ne drejtim te panjohur, i dëmtuari i tëri i gjakosur dërgohet nga axha i tij për trajtim në QKUK-Prishtinë ,ku qëndron në gjendje kome disa ditë për shkak të lëndimeve të rënda dhe të rrezikshme për jetën. /BetimipërDrejtësi