Të paditurit e kundërshtojnë ekspertizën e vlerësimit të pronës në rastin ku paditësja po kërkon kompensim të dëmit për paluajtshmërinë e uzurpuar

thumbnail_image4
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Korrik 19, 2021

Prishtinë – Është mbajtur seanca gjyqësore në rastin ku paditësja Hamide Sinani po kërkon kompensimin e dëmit material në emër të paluajtshmërisë së uzurpuar nga të paditurit Ilmi, Nazmi dhe Baki Svirca.

I autorizuari i paditëses, avokati Naser Peci ka deklaruar se e ka pranuar ekspertizën për vlerësimin e pasurisë së paluajtshme dhe si të tillë e pranon, ndërsa të paditurit Svirca e kanë kundërshtuar atë në tërësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I padituri Baki Svirca, në emër të të gjithë të paditurve ka deklaruar fillimisht se ekspertiza nuk i është dorëzuar me kohë dhe se me shkrim ka paraqitur kundërshtimet në ekspertizë.

Po ashtu, ai tha se gjykatës përmes postës i ka dorëzuar edhe kërkesën drejtuar Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, ku deri në marrjen e përgjigjes nga ky agjencion, ka kërkuar nga gjykata që të bëhet pezullimi i procedurës kontestimore.

Tutje, i njëjti i dorëzoi gjykatës një kontratë të shitblerjes së një parcele kufitare me parcelën kontestuese, e me të cilën rrëzohet sipas tij konstatimi i ekspertit si dhe deklaroi se eksperti ka tejkaluar detyrat e caktuara nga gjykata kur ka dhënë opinionin mbi vlerën e tregut.

Lidhur me këtë, eksperti Aziz Sallahu tha se pasi që ky është një raport i vlerësimit, ai ka bërë çmimin mesatar të shitblerjes për m2, e që është prej 464.80 euro si dhe vlerësimi është bërë duke u bazuar në katër kontrata të shitblerjes të marra në mënyrë elektronike nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.

Kundërshtim tjetër i bërë nga i padituri Svirca ka qenë se eksperti ka konstatuar se zona është kryesisht me objekte rezidenciale dhe tek tabela e paraqet si tokë ndërtimore, përderisa në certifikatën mbi të drejtat e pronës nuk specifikohet asgjë, përveç pozicionit rural.

Këtë, eksperti Sallahu e konsideroi si një lëshim teknik nga ana e tij.

I padituri Baki Svirca ka përmendur edhe faktin se vlerësimi është bërë sipas certifikatës së pronësisë në të cilën figuron totali i parcelës në emër të trashëgimlënësit, pa u ndarë në ½-ën, dhe ka kundërshtuar theksimin e ekspertit se paditëses i është bllokuar qasja në rrugën “Sheh Myhedini”.

“Këtë e bazojmë në dy dokumente që ja kemi dorëzuar gjykatës nga ajrofotogrametria e vitit 1983 si dhe nga ajrofotot e vitit 2004 ku shihet se ndërtimi i shtëpisë së paditëses është bërë para se ne ta ndërtojmë shtëpinë dhe e njëjta vet e ka mbyllur rrugën”, ka thënë i padituri.

Për këtë, eksperti Sallahu ka thënë se në raport janë shënuar vetëm pretendimet e paditëses dhe jo edhe të gjeturat e tij.

Tutje, i padituri Baki Svirca ka thënë se gjatë inspektimit të bërë nga eksperti, ata si palë e paditur nuk janë ftuar fare dhe me këtë ai pretendoi se është shkelur parimi i barazisë së palëve në gjykim.

Për shkak të tejkalimit të orarit të paraparë, gjykatësja Lendita Berisha deklaroi se seanca e sotme shtyhet për 3 gusht 2021, në ora 10:00.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e 25 majit 2016 kishte aprovuar si të bazuar kërkesëpadinë e paditëses Hamide Sinani duke detyruar të paditurit Ilmi, Nazmi dhe Baki Svirca që paditëses në emër të kompensimit të dëmit material, t’ia paguajnë shumën në vlerë prej 5.040 Euro si dhe të paguajnë shpenzimet e procedurës.

Sipas ankesës së ushtruar nga të paditurit kundër këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit të Kosovës kishte marrë Aktvendim duke prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë C.nr.1423/2009 ashtu që lënda i është kthyer gjykatës së njëjtë në rigjykim.

Në arsyetim të këtij vendimi thuhet se nuk kuptohet se shuma si në dispozitiv të aktgjykimit të goditur është vetëm për kompensim për pjesën e uzurpuar apo edhe kompensim dëmi si pasojë e depërtimit të ujërave atmosferike ne bodrumin e objektit të saj të banimit.

Po ashtu, sipas Gjykatës së Apelit, nuk kuptohet se cila është paluajtshmëria e paditëses, sipërfaqja e saktë e uzurpuar nga të paditurit, nëse vërtetë bëhet fjalë për uzurpim të pjesës së paluajtshmërisë së paditëses dhe nëse vërtetë depërtojnë të reshurat atmosferike në bodrumin e  objektit të sa si pasojë e veprimeve të ndërmarra nga të paditurit.

Nga ana tjetër, në arsyetim të këtij vendimi thuhet se vlerësimin e paluajtshmërisë duhet ta bëjë eksperti i licencuar për vlerësimin e paluajtshmërive.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 19 qershor 2009, paditësja Hamide Sinani, fillimisht ka paditur Smajl Svirca, për kthimin e pjesës së ngastrës së uzurpuar.

Në padi thuhet se, i padituri përkundër vërejtjeve të paditëses që të mos ndërtoj në paluajtshmërinë e saj, ai prapë ka vepruar në mënyrë arbitrare duke uzurpuar pjesën e ngastrës lëndore.

Andaj, me padi ka kërkuar që të obligohet i padituri që të lirojë pjesën e uzurpuar të ngastrës kadastrale të saj, si dhe shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, me plotësim të padisë së 31 tetorit 2014, paditësja ka kërkuar që i padituri ta kthejë në gjendje të mëparshme pjesën e sipërfaqes tokësore të ngastrës kadastrale 00795-4, duke e rrënuar murin e ndërtuar dhe të njëjtin t’ia dorëzojë në posedim paditëses, si dhe t’ia kompensojë shpenzimet e procedurës.