Të ndryshohet Kushtetuta, urgjent të iniciohet procesi i vetingut, Kryeprokurori të emërohet nga politika

IMG_7617
Author

Betim MUSLIU

Shtator 16, 2019

Prishtinë, 16 shtator 2019 – Pyetjeve të shumta dhe përmbajtësore që do të duhej t’iu përgjigjen partitë politike për ta çkapur sistemin e drejtësisë dhe për ta luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, nuk janë duke iu përgjigjur.

Duke qenë për një dekadë pjesë e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), një institut “think tank” që monitoron sistematikisht sistemin e drejtësisë, po shpalos dy opsione që janë përgjigja e duhur për të dy temat – çkapjen e sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E para, po shohim në këtë kohë fushate, para fushatës zyrtare zgjedhore, se ka shumë premtime të mëdha për çkapjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Për çkapjen e sistemit të drejtësisë nga politika dhe grupet kriminale e grupet e interesit, IKD ka formalizuar tash e një dekadë inicimin e procesit të vetingut në polici, prokurori dhe gjykata. Kjo është rruga e vetme për të çkapur policët, prokurorët dhe gjykatësit, të cilët janë emëruar nga politika, nga grupet kriminale dhe grupet e interesit, të cilat sot amnistohen nga ndjekja dhe dënimet nga argatët e tyre brenda sistemit të drejtësisë. Natyrisht, siç e kemi thënë vazhdimisht, në polici, prokurori dhe gjyqësor ka djem e vajza që kanë integritet dhe që duhet të promovohen, por një sistem i kapur, nuk e mundëson një gjë të tillë.

Prandaj, shpresa e vetme, mbetet vetingu, për të cilin, qytetarët e Kosovës, duhet të sigurohen se do të bëhet në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme. Vetingu duhet të bëhet me konsensus nacional në Kuvendin e Kosovës, ndërsa integriteti i tërë këtij procesi duhet të garantohet nëse ai do të realizohej nën udhëheqjen e shteteve mike që kanë mbështetur shtet ndërtimin e Kosovës ndër vite, si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania.

E dyta, po shohim se partitë politike kanë shumë premtime të mëdha për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjithë politikanët deri më sot, përgjigjet lidhur me këtë temë i kanë pasur joadekuate, për të mos qenë shumë i ashpër në vlerësim ndaj tyre.

Politikanët nuk duhet t’i gënjejnë votuesit – qytetarët – se do ta luftojnë korrupsionin, përderisa për një gjë të tillë ka kompetencë një pushtet tjetër. Politikanët mund të premtojnë se nuk do të korruptohen, por nuk mund të premtojnë që policët, prokurorët dhe gjykatësit, do ta luftojnë korrupsionin. Sepse në sistemin aktual – policët, prokurorët dhe gjykatësit – janë të pavarur prej politikës. Bile janë shtet brenda shtetit. Bile nuk i japin llogari askujt. As nga jashtë, e as nga brenda përmes mekanizmave të llogaridhënies, sepse të gjithë i kanë kapur.

Edhe pse duket e natyrshme që politikanët të japin këso premtime në kohë fushatash, se do ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar, në praktikë, me premtimet e tyre, ata po dalin banal dhe po dëshmojnë se nuk e kanë haberin se si do të mund ta bënin një gjë të tillë.

Qytetari i Republikës së Kosovës – votuesi – me të drejtë kërkon që pushteti i ardhshëm ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këtë mundësi e ka, sa herë ka zgjedhje nacionale, prandaj me të drejtë kërkon të zgjedhë se cila parti ofron zgjidhje për luftimin e kësaj dukurie në Kosovë. Por, tash për tash kjo gjë është e pamundur pa ndryshuar Kushtetuta. Prandaj, qytetarët duhet të kenë opsionin e partive që ofrojnë zgjidhje reale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe jo opsione mashtruese në emër të kësaj kauze për këtë luftë.

Cili është opsioni? Në një tryezë publike më miqtë ndërkombëtarë, si përfaqësues i IKD-së, kam prezantuar për herë të parë një iniciativë për ta amandamentuar Kushtetutën, për ta ndryshuar arkitekturën e sistemit të drejtësisë, në përputhje me praktikat e vendeve demokratike, ku sovrani me votën e tij, voton edhe për ta zgjedhur partinë apo koalicionin që do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo bëhet nëse amandamentohet Kushtetuta dhe nëse zgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit bëhet drejtpërdrejtë nga ekzekutivi dhe nëse ndaj këtij Kryeprokurori ka subordinim të të gjithë Kryeprokurorëve të tjerë. Si është e mundur një gjë e tillë dhe si ndodhë në praktikë?

Një parti politike, del në fushatë dhe kërkon votën prej qytetarit për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. I fiton zgjedhjet. Posa të vjen në pushtet, emëron Kryeprokurorin e Shtetit dhe vendos para vetes planin e qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ky plan ka sukses, Qeveria merr meritat në luftimin e korrupsionit. Nëse ky plan dështon, Qeveria “merr meritat” për dështimet dhe ndëshkohet me votën e qytetarit.

Pse duhet të vlerësohet ky opsion në Republikën e Kosovës? Pse duhet ta kemi Kryeprokurorin e Shtetit politik apo të ekzekutivit? Republika e Kosovës gjithmonë e ka pasur Kryeprokurorin e Shtetit person politik, jo të zgjedhur formalisht por praktikisht. Aleksandër Lumezi vazhdon të mbetet argati më i devotshëm i partive në pushtet. Dikur në pozitën e Kryeprokurorit të Qarkut në Prishtinë, negocionte me një parti politike që të kandidohej si kandidat për Kryetar të Komunës së Prishtinës. Aso kohe, shefat e kësaj partie, konsideronin se Lumezi më i dobishëm është në pozitën e Kryeprokurorit në Qarkun e Prishtinës, sesa si kandidat. Dhe ashtu kishte ndodhur. Pas ca kohe, arriti edhe majat e sistemit prokurorial, duke u emëruar në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Prandaj, IKD ka rekomanduar që praktikën e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit në Kosovë, ta formalizojmë në Kushtetutë, që Kryeprokurori të jetë person me integritet, i zgjedhur nga politika. Dhe nuk ka asgjë të keqe që të jetë Kryeprokurori politik, nëse një gjë e tillë, rregullohet me Kushtetutë.

Por, është koha e fundit, që mos të mashtrohet qytetari, kinse Kryeprokurorin e kemi të pavarur nga politika. Është koha e fundit që partitë mos të mashtrojnë qytetarin se do ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar, kur Kryeprokurori i Shtetit është i “pavarur” dhe nuk mund ta mbajnë në asnjë formë llogaridhënës.

Prandaj, në këtë situatë, ajo që mund të presim është vazhdimi i mashtrimit të qytetarëve nga partitë politike se do ta luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar dhe akuzat ndaj sistemit të drejtësisë – Kryeprokurorit të Shtetit – se nuk po e kryen punën e tij. Asgjë më shumë sesa akuza e kundërakuza nuk mund të ketë. Ndërsa, ne – qytetarët – kemi nevojë që të kemi llogaridhënie si të Qeverisë, ashtu edhe të Kryeprokurorit të Shtetit për mosluftimin e krimit.

Për politizimin e skajshëm të sistemit të drejtësisë, përveç IKD-së, e cila monitoron sistematikisht këtë sistem, kanë folur vazhdimisht edhe raportet më kredibile ndërkombëtare (Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, etj).

Cilat janë përparësitë dhe dobësitë nëse Kosova do ta ketë Kryeprokurorin e Shtetit politik?

Përparësia më e madhe është se, cilado parti që e merr pushtetin, do ta ketë mandatin dhe mekanizmin në duar të veta për ta bërë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Partia apo koalicioni fitues, do ta zgjedhë vet Kryeprokurorin e Shtetit, i cili do të zbatojë politikat në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë formë, legjitimiteti i qeverisë për të luftuar këto dukuri është në plotni vullnet i qytetarit, i cili e ka votuar programin e saj.

Dobësia më e madhe është se planprogrami i votuar, mund të keqpërdoret nga Qeveria, e cila mund ta përdor Kryeprokurorin e vet për të përndjekur kundërshtarët apo për ta amnistuar veten. Në këtë rast, mund të ketë persekutime të kundërshtarëve politikë. Por, kjo, secilës qeveri mund t’i hakmerret sërish nga qytetari dhe secila qeveri duhet të llogarisë se qeveria e ardhshme do ta ketë Kryeprokurorin, të cilin e emëron vet dhe njëjtë mund ta pësojë. Prandaj në këtë situatë, secila qeveri duhet të përkujdeset që të zgjedhë Kryeprokuror me integritet, i cili zbaton Kushtetutën dhe ligjin dhe nuk vihet në shërbim të agjendave persekutuese.

Prandaj, si IKD vlerësojmë se partitë politike duhet ta kenë në programin e vet përgjigjen adekuate se si do ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Një prej zgjidhjeve më adekuate është kjo iniciativë e IKD-së për ta ndryshuar Kushtetutën dhe për ta ndërruar rolin e Prokurorit të Shtetit, duke e zgjedhur Kryeprokurorin e Shtetit drejtpërdrejtë ekzekutivi. Kjo nuk duhet të keqkuptohet në asnjë mënyrë. Një praktikë të tillë sot e kanë vendet demokratike në shumë shtete evropiane, sigurisht me demokraci të konsoliduar dhe me traditë.

Për fund, rikujtim për të gjithë ata që mund të keqkuptojnë. Jemi duke folur për ta ndërruar rolin e Prokurorit të Shtetit dhe në asnjë formë nuk flitet për çfarëdo cenimi të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Gjykatat duhet të jetë të pavarura, të paanshme, të drejta dhe profesionale. Pavarësia e pushtetit gjyqësor duhet të avancohet dhe pushtetet tjera duhet të krijojnë kushte dhe mundësi që të garantohet funksionimi i mirëfilltë për të garantuar efikasitet dhe për të ofruar për qytetarët drejtësi në kohë të arsyeshme./Betimipërdrejtësi