Të mërkurën, në konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin Hashim Thaçi e të tjerë, do të diskutohen gjashtë pika të rendit të ditës

Hashim
Author

Raporton: Medina KADRIU

Korrik 19, 2021

Prishtinë – Me 21 korrik pritet të mbahet konferenca e gjashtë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku gjatë kësaj konference pritet të diskutohen gjashtë pika të rendit të ditës.

Kjo është bërë e ditur në vendimin e gjyqtarit paraprak për caktimin e kësaj konference, ku thuhet se do të diskutohet për nxjerrjen e materialeve, përkthimet, hetimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), hetimet e mbrojtjes, pikat juridike dhe faktike si dhe paraburgimi.

Sa i përket nxjerrjes së materialeve, pritet të diskutohet se çfarë përparimi është bërë në nxjerrjen e materialit sipas rregullës 102 (1)(b) prej ZPS-së brenda afatit 23 korrik 2021, si dhe duke mbajtur parasysh afrimin e datës, edhe sa materiale mbetet ende për t’u nxjerrë dhe a synon ZPS-ja të parashtrojë kërkesa të tjera për masa mbrojtëse për materialin shtesë sipas rregullës 102 (1)(b).

Tutje, thuhet se nëse po, kërkohet të dihet se cili është afati realist që ZPS-ja të përmbushë detyrimin për nxjerrjen e materialit sipas rregullës 102(1)(b).

Për këtë temë do të diskutohet nëse ZPS-ja është brenda planit për t’i dhënë mbrojtjes një njoftim të hollësishëm për materialet sipas rregullës 102 (3) të Rregullores, deri të premten, datë 30 korrik 2021.

Gjithashtu, do të kërkohet të dihet nëse ka ende prova shfajësuese që ZPS-ja ka në ruajtjen, kontrollin apo në dijeninë vetë faktike që duhet t’i bëhen të ditura Mbrojtjes, sipas rregullës 103 të Rregullores, dhe nëse ndonjë nga këto kërkesa për masa mbrojtëse për material të tillë do të jetë e menjëhershme.

Ndërkaq, diskutimi i fundit rreth kësaj pike të rendit të ditës do të bëhet lidhur me atë nëse palët po përballen ose parashikojnë të përballen me ndonjë vështirësi lidhur me procesin e nxjerrjes së materialit sipas rregullës 107 dhe nëse do të bëhet ndonjë kërkesë e menjëhershme në pajtim me këtë rregull..

Pika e dytë e rendit të ditës do të jetë lidhur me përkthimet dhe atë, nëse Njësia e Përkthimit ka përparuar me përkthimin e dokumenteve që kanë përparësi; dhe nëse palët kanë paraqitur ndonjë kërkesë tjetër urgjente për përkthim.

Sa i përket hetimeve të ZPS-së dhe hapat e mëtejshëm pritet të diskutohet nëse ZPS-ja mund të ofrojë përditësim të mëtejshëm për datën e parashikuar të përfundimit të hapave hetimorë të papërfunduar.

Gjithashtu, për këtë pikë do të diskutohet edhe nëse është ende i vlefshëm parashikimi i ZPS-së për dorëzimin, nga mesi i tetorit 2021, të dosjes paraprake dhe materialeve të tjera të lidhura me të sipas rregullës 95(4)(a)-(c) të Rregullores.

Tutje, pika e katërt e diskutimit do të jetë për hetimet e mbrojtjes dhe hapat e mëtejshëm.

“ a. Nëse Mbrojtja mund të ofrojë informacion të mëtejshëm mbi ecurinë e hetimeve të tyre; b. Po ashtu, nëse Mbrojtja mund të ofrojë më shumë informacion lidhur me synimin për të bërë kërkesa për mundësi hetimore unike, në përputhje me rregullën 99(1) të Rregullores; dhe c. Nëse Mbrojtja mund të ofrojë më shumë informacion lidhur me synimin e vet për të përdorur alibinë ose çfarëdo arsye tjetër që përjashton përgjegjësinë penale në pajtim me rregullën 95(5) të Rregullores, dhe çdo nxjerrje të lidhur të dokumenteve, në përputhje me rregullën 104(1) dhe (2) të Rregullores”, thuhet në vendim.

Kurse, do të diskutohet edhe lidhur me  pikat juridike dhe faktike për të cilat palët pajtohen.

“a. Nëse palët kanë pasur diskutime të mëtejshme inter partes për evidentimin e listës së pikave që janë objekt i mospajtimit ndërmjet palëve dhe të atyre që nuk janë objekt mospajtimit”, thuhet në vendim të gjyqtarit paraprak.

Ndërkaq, pika e gjashtë e rendit të ditës është diskutimi lidhur paraburgimit dhe atë nëse shkëmbimi i dokumenteve mes mbrojtjes dhe të akuzuarit në objektin e paraburgimit është përmirësuar si rezultat i përditësimit të rregulloreve të Covid-19; dhe nëse Zyra Administrative do të mund të rifillojë në muajin korrik vizitat prej anëtarëve të familjes së afërt.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi