Të gjitha arsyet pse ZPS kërkoi arrestimin e Thaçit e të tjerëve, thuhet se ndërhynë në proces dhe te dëshmitarët

Specialja
Author

Raporton: Medina KADRIU

Nëntor 20, 2020

Prishtinë – Në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara është publikuar kërkesa për fletarrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e parashtruar nga Prokurori i Specializuar, Jack Smith.

Në kërkesën për fletarrestim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), thuhet se të dyshuarit kanë ndikim të madh mbi ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe në Kosovë në përgjithësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Individualisht dhe kolektivisht, ata kanë aftësinë për të manipuluar organet e  qeverisë për t’iu shmangur dhe prishur procedurat kundër tyre, dhe për të mobilizuar  bazat e mbështetjes, përfshirë ato që më parë ishin nën komandën e tyre në UÇK dhe grupe si Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, thuhet në kërkesë.

ZPS ka përmendur faktin se Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me një anëtarësi prej 40,000 individë, më parë ka bërë kërkesë për shfuqizimin e ligjit dhe ka kundërshtuar në mënyrë aktive përpjekjet e mëparshme për të ndjekur penalisht ish-anëtarët e UÇK-së për krime lufte, përmes kërcënimeve për protesta, demonstrata dhe mosbindje civile.

Në kërkesë janë përmendur edhe kërcënimet që i janë bërë Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

“Së fundi, këshilltari i qeverisë Shkëlzen Gashi ka deklaruar se individë të caktuar brenda UÇK-së kanë kryer krime, dhe si rezultat, në përputhje me gjuhën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në 1998-19999, ai ishte markuar si “bashkëpunëtor” dhe mbështetës i Serbisë, si nga Jakup Krasniqi dhe nga anëtarë udhëheqës të Shoqatës Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, thuhet në kërkesë.

Tutje, thuhet se i njëjti ka pasur kërcënime me vdekje dhe është shkarkuar nga pozicioni i tij si këshilltar. Sipas ZPS-së, shembulli i Gashit, pasqyron një klimë të mosndëshkimit dhe frikësimit të cilën, të dyshuarit e kanë lehtësuar dhe inkurajuar në mënyrë aktive.

ZPS thotë se të dyshuarit kanë atakuar publikisht mandatin e Dhomave të Specializuara, duke përfshirë akuzimin se gjykata është diskriminuese dhe duke e etikuar si “padrejtësi historike”.

Në kërkesë thuhet se në vitin 2017 është raportuar se anëtarë të PDK-së, në të cilën Thaçi është ish-lider dhe Veseli lider aktual, kanë tentuar të gjenerojnë mbështetje për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara.

Gjithashtu, thuhet se në vitin 2019Thaçi loboi për “reformën” e Dhomave të Specializuara dhe pohoi se i takon Qeverisë së Kosovës për të vendosur për mandatin, funksionimin dhe vendndodhjen gjeografike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Që atëherë Thaçi ka gënjyer publikisht për shkallën e përfshirjes së tij personale me  ZPS”, thuhet në kërkesë.

Tutje, thuhet se Jakup Krasniqi ka bërë një postim me 24 prill, ku thuhet se çdo shqiptar që D.Marty e quan patriot ose në shërbim të kryeministrit ose në ndonjë pozitë tjetër, është  bashkëpunëtor dhe në shërbim të politikës së gjenocidit të Slobodan Millosheviqit.

Sipas ZPS-së, përmes këtyre deklaratave dhe veprimeve, të dyshuarit kanë përdorur pozicionet e tyre dhe ndikimin që aktivisht të minojnë dhe pengojnë mandatin e Dhomave të Specializuara.

Në kërkesë thuhet se disa nga të dyshuarit kanë një rekord të demonstrueshëm të ndërhyrjes ose pengimit të zbatimit të ligjit  dhe tashmë  ka prova të përpjekjeve për të ndërhyrë në aktivitete hetimore të ZPS-së.

Si dhe thuhet se për shembull anëtarët e SHIK-ut që i përgjigjen Kadri Veselit dhe anëtarit të emëruar të JCE, janë të implikuar në mbikëqyrjen, kërcënimet dhe dhënien e ryshfetit dëshmitarëve që dëshmojnë kundër ish-anëtarëve të UÇK-së në ICTY.

ZPS thotë se Rexhep Selimi është renditur në listën e zezë  nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për përfshirje të mundshme në pengimin e zbatimit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit për krijimin e UNMIK dhe është subjekt i sanksioneve të vendosura nga Thesari i Shteteve të Bashkuara.

“Për më tepër, individët të cilët kanë punuar për Rexhep Selimin  ishin të përfshirë në një përpjekje [REDAKTUAR] për të vrarë [REDAKTUAR]. Brenda një ore pas tentim-vrasjes, SELIMI u përpoq ta thërriste njërin nga të dyshuarit, dhe Selimi më pas kontaktoi një oficer të Policisë së Kosovës duke kërkuar ai për të rimarrë [REDAKTUAR] që dyshohet se është përdorur në atentat. Një hetues [REDAKTUAR] vuri në dukje se ‘[[]] është […] shqetësim i madh që Rexhep Selimi mund ta thërriste një oficer të Policisë në çdo kohë dhe t’i kërkonte që ta shfrytëzonte pozicionin e tij për t’i marrë provat të përdorura në veprat e mundshme penale’”, thuhet në kërkesën për fletëarrestim.

Tutje, në këtë kërkesë përmenden edhe Driton Lajçie ish-ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri.

“Së fundi, zyrtarë qeveritarë besnik të Thaçit dhe Veselit, kanë kryesuar mbi pagesa korruptuese qeveritare të dëshmitarëve potencial të ZPS-së. Ministri i atëhershëm, Abelard Tahiri, emëroi Driton Lajqin në krye të Divizionit për Koordinim të procesit të mbrojtjes ligjore dhe mbështetjes financiare për të akuzuarit potencial në gjykime para Dhomave të Specializuara”, thuhet në fletëarrestim.

Tahiri thuhet se  ka punuar gjerësisht me Thaçin në role të shumta dhe se Lajçitë merrte këtë pozitë, ka punuar si këshilltar i Veselit dhe ka njohur Thaçin për më shumë se 25 vite, pasi ka qenë anëtar i këshillit iniciativ të PDK-së së Thaçit në 1999.

Divizioni në fjalë thuhet se procesoi aplikacionet për pagesën e pretenduar  ‘Çështjet gjyqësore dhe shpenzimet e udhëtimit’ për të dyshuarit që paraqiten para ZPS, edhe pse Dhomat e Specializuara tashmë i rimburson të intervistuarit për shpenzime të tilla.

Tutje, thuhet se është  e qartë se paratë e paguara nga Divizioni nuk janë dhënë  në përputhje me kriteret e qëndrueshme dhe kanë pak lidhje ndaj shpenzimeve legjitime të bëra.

“Për shembull, (REDAKTUAR) pranoi (REDAKTUAR) në lidhje me intervistë një ditore në Hagë (REDAKTUAR). Nuk ka dëshmi (REDAKTUAR) që ndonjëherë ka aplikuar zyrtarisht në divizion për mbështetje financiare para se të pranonte një pagesë të tillë, përderisa aplikacione të të tjerëve, disa të intervistuar nga ZPS për disa ditë, kishin ende për tu aprovuar muaj më vonë”, thuhet në kërkesë.

Thaçi dhe Veseli thuhet se gjithashtu janë mbështetur në besnikë sikur Lajçi për të raportuar detaje nga hetimet e ZPS-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vijim thuhet se pasi (REDAKTUAR) zgjodhi tu përgjigjej pyetjeve të ZPS-së, në vend se të thirrej në heshtje, ka prova që Thaçi u përpoq që avokati që përfaqësonte (REDAKTUAR) nuk do të caktohet për të përfaqësuar të intervistuarit e tjerë.

Sipas ZPS-së, shkurt pasi (REDAKTUAR) bëri publike se do të intervistohej nga ZPS, këtij personi dikush i kishte ofruar përfitime të ndryshme në emër të Thaçit.

“(REDAKTUAR) bëri publike se ai do të intervistohej nga ZPS, Thaçi dhe Veseli (REDAKTUAR). I pyetur nga Thaçi për situatën e tij familjare (REDAKTUAR). Më pas, ( REDAKTUAR) u takua me (REDAKTUAR) dhe i ofroi përfitime të ndryshme. ( REDAKTUAR) bëri të ditur se oferta ishte në emër të Thaçit”, thuhet në kërkesë.

Përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarë potencial thuhet se kanë përfshirë edhe punësimin e tyre në pozita qeveritare.

Sylejman Selimi thuhet se u lirua nga burgu me 25 janar 2019 dhe thirrja nga ZPS iu dërguar me 29 janar, e brenda 72 orëve, është punësuar si këshilltar i qeverisë.

Pas reagimit publik, thuhet se ishte liruar nga përgjegjësitë e tij pas intervistës së tij me ZPS, por jo para se të pranonte mbi 15 mijë euro pagë duke mos bërë pothuajse asgjë.

Tutje, thuhet se Rrustem Mustafa ishte intervistuar nga ZPS në janar të vitit 2019 dhe më 14 shkurt, Thaçi e kishte punësuar atë si këshilltar me rrogë 18 mijë euro për vit. Asnjëra nga këto, duke iu referuar pagave, thuhet se nuk është bërë publike derisa është zbuluar në raportin e Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës.

Sipas ZPS, secili nga të dyshuarit ka motive dhe mundësi që të ndikojë në dëshmitarë dhe të pengojë procedurat.

ZPS thotë se është e dukshme nga ndjekjet penale të mëhershme, duke përfshirë persona të emëruar të JCE dhe tjerë bashkëpunëtorë të dyshuarve, se ka klimë endemike të ndikimit në dëshmitarë dhe intimidimit te tyre.

Si shembull kanë marrë këtë rast të mëposhtëm:

“(REDAKTUAR)- (REDAKTUAR) është qëlluar për vdekje dhe (REDAKTUAR) ishte plagosur rëndë. Të dy ishin dëshmitarë në çështjen e (REDAKTUAR) , që kishte filluar para gjuajtjes dhe kishte të bënte me krime lidhur me paraburgimin (REDAKTUAR). Shtëpia e (REDAKTUAR) gjithashtu ishte bombarduar më parë dhe incidente me të shtëna kishin ndodhur ndaj dëshmitarëve. Sipas fjalëve të gjykatësit, kishte një shkallë të jashtëzakonshme të intimidimit të dëshmitarëve që dëmtoi përparimin e procedurave”, thuhet në fletëarrest.

Tutje, thuhet se në rastin e Limaj e të tjerëve, (REDAKTUAR) ka refuzuar të dëshmojë për shkak të kërcënimeve dhe se ishte kërcënuar me vdekje nëse do të dëshmonte kundër Limaj.

Në rastin e Haradinaj e Brahimaj, thuhet se gjithashtu kishte pasur ndikim korruptiv.

Gjithashtu, përmendet rasti ku Sabit Geci e Sylejman Selimi ishin akuzuar për krime që lidhen me rastin e Likofcit.

“Ka prova që në mes të vitit 2013 dhe 2015, persona të lidhur me të akuzuarit në atë rast dhanë (REDAKTUAR) si nxitje për të  tërhequr deklaratën e tij dhe për të dhënë dëshmi të rreme. (REDAKTUAR) ngjashëm i ishte ofruar ( REDAKTUAR) për të dhënë dëshmi falsë, ishte kërcënuar (REDAKTUAR)”, thuhet në kërkesën për fletëarrestim.

Në rastin Balaj, thuhet se dëshmitarët (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), gjithashtu kishin pasur sulme ndaj jetës së tyre gjatë procedurave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“(REDAKTUAR) ishte plagosur kur persona të panjohur gjuajtën (REDAKTUAR)”, thuhet tutje.

Gjithashtu thuhet se gjykatësi hetues kishte thënë se kurrë më parë nuk kishte pranuar kaq shumë informacion për kërcënime ndaj dëshmitarëve apo përpjekje për t’i influencuar.

“REDAKTUAR pas vendimit dënues në këtë gjykim, (REDAKTUAR) ishte vrarë (REDAKTUAR). (REDAKTUAR), më pas, persona të armatosur qëlluan dhe vranë”, thotë kërkesa.

Sipas ZPS-së, dëshmitarë të shumtë potencial, duke përfshirë viktimat, ish-anëtarë të UÇK-së dhe ish- punonjës të organizatave ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë, sikurse OSBE, kanë shprehur frikën dhe kujtuar përvojat e mëhershme të ndërhyrjes te dëshmitarët.

ZPS thotë se gjatë hetimeve, dëshmitarët vazhdimisht kanë shprehur frikë se çfarë mund tu ndodh atyre.

Prokurori i Specializuar i është referuar edhe raportit të OSBE-së, ku thuhet se problemi i mbrojtjes së dëshmitarëve k dëmtuar ndjekjen penale të krimeve të luftës ndoshta më shumë se çdo tjetër çështje , veçanërisht në rastet kundër ish-anëtarëve të UÇK-së.

Në kërkesën për fletëarrest thuhet se sapo të dyshuarit të mësojnë për krimet e rënda për të cilat akuzohen, që mund të sjellin burgim të përjetshëm, kanë nxitje të fortë për të shmangur gjykimin e  tyre.

ZPS thotë se kjo nxitje e tyre mund të ndikohet nga njohuria për raportimet publike të dënimeve të ish-anëtarëve të UÇK-së për krimet që janë akuzuar, si për shembull Lahi Brahimaj, Rrustem Mustafa dhe Sabit Geci.

Thuhet se të dyshuarit kanë motivin dhe mundësinë që t’i shmangen drejtësisë dhe se kanë pasaporta që u mundësojnë të fluturojnë lirshëm në shtete që nuk kërkojnë viza.

Thaçi e Veseli thuhet se udhëtojnë ndërkombëtarisht, ndërsa Selimi e Krasniqi rregullisht vizitojnë Shqipërinë dhe se Kosova ka një numër të vogël të marrëveshjeve për ekstradim me shtete tjera.

Gjithashtu, përmendet fakti se kur kjo kombinohet me numrin e shteteve që nuk e njohin Kosovën si shtet, është lehtë që të dyshuarit të udhëtojnë në një juridiksioni që nuk do të kishte obligim t’i transferonte te Dhomat e Specializuara.

Sipas ZPS-së,  hetimet dhe procedurat po bëhen në një klimë të intimidimit dhe frikës dhe në këto rrethana derisa të dëgjohen dëshmitarët dhe të sigurohen provat, paraburgimi është i nevojshëm.

ZPS ka thënë se rreziku që të dyshuarit të mobilizojnë mbështetësit e tyre për të penguar hetimin dhe procedurat kundër tyre është dukshëm real, siç po shihet nga qëndrimi i tyre ndaj hetimet dhe procedurat e kaluara dhe të tanishme penale me ish-anëtarët e UÇK-së dhe dhe klima e frikësimit të dëshmitarëve që shoqëron hetimet dhe procedurat.

Gjithashtu, thuhet se të dyshuarit kanë qenë eprorë të shumë dëshmitarëve të ZPS-së dhe vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta të autoritetit dhe ndikimit e kanë mjetet, motivin dhe mundësinë që të ndërhyjnë të dëshmitarët, viktimat dhe bashkëpunëtorët.

ZPS ka konsideruar se të dyshuarit janë të aftë për të provokuar rrëmujë publike nëse e shohin në interesin e tyre.

Gjatë gjykimit, thuhet se të dyshuarit do të mësojnë identitetin e dëshmitarëve e këta të fundit do t’i ekspozohen një rreziku të lartë të intimidimit.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Ndërsa, me 18 nëntor është mbajtur konferenca mbi ecurinë e çështjes.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi