Të dyshuarit për vrasjen e gruas në Llaushë do t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë- Gjykata Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim që S.Q, të dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij L.Q, në Llaushë të Skënderajt, t’i bëhet ekzaminim psikiatrik.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Elvir Imeri.

“Po, sot kam pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku është aprovuar propozimi im për ekzaminim psikiatrik lidhur me të mbrojturin tim”, tha ai.

Imeri shtoi se akvendimi në fjalë është i 6 janarit 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas prokurorisë i dyshuari pas një mosmarrëveshje e kishte goditur gruan e tij me gjashtë plumba.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”, thuhej në kërkesën e Prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarit.

I dyshuari S.Q është arrestuar më 5 janar 2022. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë