Të dënuarit për vjedhjen e veturës kërkojnë të lirohen nga akuza apo rigjykim të rastit

Lavdim Bajraktari - Rasti Lorik Beqiraj etj. - 10.10.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Me pretendimet se gjykata e shkallës së parë i kishte dënuar pa prova për veprën penale të vjedhjes së rëndë, të akuzuarit, Lorik Beqiraj dhe Jetmir Ukëhaxhaj, të mërkurën. përmes mbrojtësve të tyre, kërkuan nga Gjykata e Apelit që t’i lirojë nga akuzat apo që rastin ta kthej në rigjykim.

Gjykata Themelore në Gjakovë, në korrik të këtij viti, të akuzuarit Beqiraj dhe Ukëhaxhaj i kishte shpallur fajtorë për vjedhje të rëndë, dhe të njëjtëve u kishte shqiptuar nga dy vite burg secilit prej tyre, kurse, Beqirajt i kishte shqiptuar edhe dënim me gjobë në lartësi prej 600 euro.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Shkumbin Morina, mirëpo, ndaj tij, shkalla e parë kishte nxjerr aktgjykim refuzues pasi që prokurori ishte tërhequr nga akuza.

Po ashtu, ndaj të akuzuarve rëndonte edhe një akuzë për grabitje, mirëpo, edhe nga kjo akuzë, prokurori ishte tërhequr nga akuza.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, të akuzuarit Beqiraj dhe Ukëhaxhaj, përmes mbrojtësve të tyre, i janë drejtuar me ankesa Apelit, duke kërkuar nga kjo e fundit, që të njëjtit t’i lirojë nga akuza apo që rastin ta kthej në rigjykim.

Mbrojtësja e të akuzuarit Beqiraj, avokatja, Fehmije Zhubi, në fjalën e saj para kolegjit të Apelit, tha se nuk ka prova të artikulueshme që i mbrojturi i saj ka kryer veprën penale dhe gjendja faktike për rastin në fjalë, sipas saj, është e dyshimtë.

“Nuk ka prova të artikulueshme që i mbrojturi im ka kryer veprën penale. Gjendja faktike paraqitet e dyshimtë prandaj duhet të vendoset në favor të të akuzuarit sipas parimit ‘in dubio pro reo’. Dëshmitë e dëshmitareve janë te zbehta dhe të paargumentuara. Andaj gjykatës i propozoj që në mungesë të provave Loriku të lirohet nga akuza apo rasti të kthehet në rigjykim”, tha avokatja Zhubi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Ukëhaxhaj, avokati Genc Juniku, tha se ashtu siç ishte tërhequr prokurori nga akuza për grabitje, njëjtë është dashur të veprojë edhe për akuzën e vjedhjes së rëndë.

“Prokuroria është tërhequr nga një akuzë më e rëndë siç është grabitja. Pra, grabitje që është bo me ketë kerr por prej personave të tjerë pra nuk jon këta. Prokurori është dash të tërhiqet edhe nga kjo akuzë. Asnjë fakt nuk është vërtetuar që ky është kryes i veprës. Nga të gjitha deklarata e dëshmitareve dhe të dëmtuarve, nuk është vërtetu që ky është fajtor. Prandaj propozojmë që i njëjti të lirohet apo rasti të kthehet në rigjykim”, tha avokati Juniku.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Lorik Beqiraj, Shkumbim Morina dhe Jetmir Ukhaxhaj, akuzohen se më 2 dhjetor 2016, duke bashkëpunuar në grup, me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme kanë vjedhur makinën e tipit “Mercedes A-clas”, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm palës së dëmtuar, Afrim Gjokaj dhe Faton Xërxa.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, të njëjtit akuzohen se më 3 dhjetor 2016, në grup, të maskuar dhe të armatosur kanë ndaluar në pompën e derivateve në fshatin Smolicë, të Komunës së Gjakovës dhe nga punëtori i saj, Zgjim Kurti, kanë marrë vlerën e parave prej 200 eurosh.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “grabitjes”, nga neni 329, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës.