TË DËMTUARIT PARAQESIN PROVA TË REJA NË PROCESIN GJYQËSOR NDAJ ISH-ZYRTARËVE TË BANKËS BpB

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të hënën, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër të akuzuarëve Ahmet Shehu dhe Milaim Bytyqi, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, duke punuar si arkëtar në Filialen e Bankës Private për Biznes (BpB), në Komunën e Hanit të Elezit, duke kryer pagesa dhe duke mos i lëshuar fletpagesa klientëve.
Përfaqësuesi i të dëmtuarit Haki Mazreku, avokati Mujë Krasniqi, trupit gjykues i ka paraqitur provat materiale, përkatësisht pasqyrën e llogarisë personale të të akuzuarit Ahmet Shehu. Sipas avokatit nga ajo xhirollogari dëshmohet se ishin tërhequr para nga xhirollogaria e firmës “ Nita Comerce”, të cilat, më pas ishin derdhur në llogari të tij personale. Për këtë çështje, ai ka kërkuar nga trupi gjykues që të caktohet një ekspert i çështjeve ekonomike për vërtetimin me të saktë të këtyre pasqyrave.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Maliqi, në fillim të shqyrtimit gjyqësor për paraqitjen e provave materiale, ka konstatuar shikimin dhe leximin provave të paraqitura nga ana e prokurorit Shukri Jashari, të cilat ishin: fletëpagesa, fletëdeponime dhe urdhër-regjistrat të cilat ishin kryer gjatë periudhës 2003-2004 në filialen e bankës BpB në Han të Elezit.

Mbrojtësi i akuzuarit Ahmet Shehu, avokati Admir Salihu, e ka kundështuar pasqyrën e paraqitur nga pala e dëmtuar, pasi sipas tij, ajo nuk iu është dorëzuar edhe avokatëve për t’a analizuar dhe për të cilen tha se nuk dihet se me çfarë baze është nxjerrë. Salihu tha se këtë provë që pretendon ta ofrojë pala e dëmtuar është dashur të nxirret nga gjykata sipas detyrës zyrtare e jo nga pala e dëmtuar, prandaj ka kërkuar që e njëjta të hudhet poshtë sepse sipas tij nuk ka bazë ligjore.

Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për këshillim e votim dhe më pas ka bërë të ditur se gjykata ka vendosur që provat e propozuara të merren zyrtarisht në procedim nga gjykata. Gjithashtu është aprovuar propozimi i avokatit Admir Salihu që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen në seancën e radhës pronari i Agjensionit të Shpedicionit “Iliria Shped”, Bashkim Bytyqi si dhe Enis Dautxhiju – punetore në këtë agjenci. Shqyrtimin i radhës do të mbahet më 17 mars 2016, në orën 09:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë