“Brezovica 6”, sekuestrohen armë, vetura, telefona, kompjuterë e dokumente

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

(Përditësuar, ora 16:35)Prokuroria Themelore në Ferizaj njoftoi se shtatë persona janë arrestuar në aksionin “Brezovica 6”, që u zhvillua të mërkurën në Prishtinë, Podujevë dhe në Fushë-Kosovë.

Prokuroria bëri të ditur se gjatë aksionit janë kontrolluar dhe bastisur 11 lokacione të ndryshme, prej tyre 8 në Prishtinë, 2 në Podujevë e 1 në Fushë-Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të dyshuarit, me inicialet B.L., G.B., B.G., S.S., L.V., S.S. dhe G.S., janë ndaluar për 48 orë, me dyshimin se kanë kryer veprat penale “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “fajde” dhe “ushtrim i ndikimit.

Sipas njoftimit, janë sekuestruar revole, karikator të revoles, pesë vetura të llojeve të ndryshme, kartela banke, certifikata të pronësisë, telefona të ndryshëm mobilë, disa laptopë dhe kompjuterë, hard disqe dhe dokumente të tjera.

 

Të arrestuarit në rastin “Brezovica 6” dyshohen për ryshfet, fajde e ushtrim ndikimi

 

(Përditësuar, ora 11:20)- Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton se lidhur me rastin “Brezovica 6” janë arrestuar shtatë persona, të cilët dyshohen për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Prokurori, ku thuhet se të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot ka realizuar aksionin “Brezovica” i cili është vazhdimësi i rasteve të mëhershme, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur njëmbëdhjetë (11) lokacione të ndryshme, konkretisht tetë (8) lokacione në qytetin e Prishtinës, dy (2) në Podujevë dhe një (1) në Fushë Kosovë, ku me ç​’rast, janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar dhe të njëjtit me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422 , “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, spas prokurorisë, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.

“Ndaj personave të dyshuar, Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, pritet të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi

 

Aksioni “Brezovica 6”, në mesin e shtatë të arrestuarve janë zyrtarë të MMPHI-së, KEDS-it dhe biznesmenë

Prishtinë- Aksioni “Brezovica 6” të mërkurën po vazhdon në Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe Podujevë, meqë rast janë arrestuar shtatë persona.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, prokurori i çështjes, Rasim Maloku, i cili tha se janë bastisur 11 lokacione.

“Aksioni është duke vazhduar sot në Prishtinë ndaj tetë personave, janë bastisur 11 lokacione, prej tyre dy janë në Podujevë dhe një në Fushë-Kosovë. Tetë persona janë të pandehur, ndërsa janë arrestuar shtatë.  Tre janë të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit, një i KEDS-it dhe tre janë biznesmenë-investitorë”, tha Maloku.

I njëjti shtoi se aksioni është në përfundim dhe se ka filluar në ora 06:00

Aksionin e sotëm e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, duke thënë se i njëjti po realizohet në koordinim me organet e drejtësisë.

“Policia e Kosovës, konfirmon se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë ka vazhduar realizimin e operacionit policor “Brezovica 6”, ku informacionet dhe detajet rreth këtij operacioni, do të bëhen të ditura  pas përfundimit”, ka thënë zëdhënësi i policisë, Agron Borovci. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë