Të akuzuarit se transportuan katër thasë me marihuanë nga Shqipëria në Kosovë negociojnë pranimin e fajësisë

Albert Memia etj foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Dhjetor 12, 2019

Gjakovë – Të akuzuarit për transportim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Albert Memia dhe Armand Muçaj, përmes mbrojtësve të tyre, të enjten, kanë kërkuar që të hyjnë në negocim të marrëveshjes për pranim të fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

Ata akuzohen se në gusht të vitit 2019, nga Shqipëria kanë transportuar në Kosovë katër thasë me marihuanë, në peshë të përgjithshme prej 29 kilogramë e 317 gramë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Meshari Selimaj dhe Gëzim Kollçaku kërkuan nga gjykata që të shtyhet seanca dhe që t’i mundësohet që të negociojnë marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Prokurori Buzhala, nuk ka kundërshtuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që të hyjnë në negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, duke kërkuar nga gjykata që t’i jepet kohë e mjaftueshme për negocimin e marrëveshjes.

Më pas, gjykatësi Mentor Bajraktari e ka aprovuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve, derisa u ka dhënë afat palëve deri më 13 janar 2020, që të arrijnë një marrëveshje eventuale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Albert Memia dhe Armand Muçaj po ngarkohen me veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, nga neni 267, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 29 gusht 2019, rreth orës 12:30, pa autorizim transportojnë me qëllim të shitjes substanca narkotike, në atë mënyrë që në ditën kritike të pandehurit në fshatin Mejdan në Tropojë, e vendosin substancën narkotike në bagazh të automjetit të të pandehurit Albert Memia, i cili pasi kalon pikën kufitare në Qafë-Morinë, sipas marrëveshjes paraprake takohet me të pandehurit Armand Muçaj, tek pompa e derivateve “TZ”, në fshatin Mejë, pastaj me automjetin e tij të markës “Mercedes” niset në drejtim të qendrës tregtare “ETC” në Gjakovë, ku e parkon veturën në parkingun e kësaj qendre.

Siç thuhet tutje në aktakuzë, pastaj me automjetin “Mercedes” të të pandehurit Armand Muçaj  vazhdojnë rrugën në drejtim të qendrës tregtare “Landi Star”, meqenëse policia kishte informacione se në veturën e të pandehurit Albert Memia, i cili kohë më parë e kishte parkuar te qendra tregtare “ETC”, kishte substancë narkotike, të njëjtit ndalohen nga ana e njësitit DHTN-së, të cilët pasi i kanë arrestuar i shoqërojnë tek automjeti i Albert Memias, ku pas kontrollit në pjesën e pasme, në bagazhin e automjetit kanë gjetur katër thasë të mbushura me substancë narkotike, e dyshuar për marihuanë, ku pas ekzaminimit ka rezultuar të jetë marihuanë, me peshë prej 29 kilogramë e 317 gramë.