Të akuzuarit pranojnë se pas sekuestrimit e kishin marr veturën dhe kishin dëmtuar dyert e parkingut të kompanisë

Amiri
Author
Gusht 13, 2019

Mitrovicë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në seancën e shqyrtimit fillestar, e kanë pranuar fajësinë të akuzuarit për dy vepra penale, Fitim Ahmeti dhe Asmir Ajeti.

Ata akuzohen për veprat penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” dhe “vetëgjyqësia” për shkak  se siç thuhet në aktakuzë, në vitin 2018, në Mitrovicë, kishin marr veturën në parkingun e kompanisë “Miloti”, të cilën e kishte sekuestruar Stacioni Policor i Skenderajt.

Seancën e së martës, pasi paraprakisht prokurori Shpëtim Peci ka lexuar aktakuzën, të pandehurit kanë pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

“E ndjej veten fajtor. E di që kam gabuar nuk i kam përsërit veprimet e tilla. E lus gjykatën që të merr parasysh faktin që jam i martuar dhe jam mbajtës i familjes”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, i pandehuri tjetër, Asmir Ajeti, ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur, duke kërkuar nga gjykata që t`i shqiptojë një dënim sa më të lehtë dhe ka premtuar se nuk do të përsërisë veprime të tilla.

Lidhur me këtë, prokurori Peci, i ka propozuar gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë nga dy të akuzuarit, si dhe gjatë shqiptimit të dënimit të merr parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Në këto rrethana, gjykatësi, Rrahman Beqiri, ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve dhe ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 14 gusht 2018, në ora 11:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 6 shkurt 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Ahmetit dhe Asmir Ajetit.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, të pandehurit Ahmeti dhe Ajeti, më 29 shtator 2018, në parkingun e kompanisë “Miloti”, në Mitrovicë, kishin marrë veturën të markës “Calibër”, pronë e të akuzuarit Ahmeti, pasi e njëjta ishte sekuestruar nga Stacioni i Policor në Skenderaj.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Ajeti kishte hyrë në parking dhe pasi kishte marrë veturën gjatë daljes i kishte goditur dyert e mbyllura të parkingut, ndërsa në afërsi kishte qenë duke e pritur i pandehuri tjetër, Fitim Ahmeti.

Sipas aktakuzës, kompania “Miloti” ishte dëmtuar në vlerë prej 300 euro.

Me këtë, ata akuzohen se me marrëveshje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 par 1, lidhur me nenin 35 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit veprimin sipas dispzoitivit të parë të aktakuzës e kanë ushtruar në mënyrë arbitrare, me arsyetimin se nuk u është lejuar që t`i marrin pajisjet e muzikës në automjet.

Me këtë, ata akuzohen për veprën tjetër penale “vetëgjyqësia”, nga neni 418, par 1 lidhur me nenin 35 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi