Të akuzuarit për vjedhje të rëndë nuk paraqesin kërkesat për hudhjen e aktakuzës, thonë se këtë do ta bëjnë në shqyrtimin kryesor

45600112_1917577618356304_4847398204498509824_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 8, 2018

Gjakovë – Në shqyrtimin e dytë të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Hil Memaj, Getoarbër Mulliqi, Nderim Curri dhe Sinan Kameri, janë deklaruar përsëri se nuk e pranojnë fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohen.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të akuzuarit, Hil Memaj, Getoarbër Mulliqi, Nderim Curri dhe Sinan Kameri, pretendohet se kanë vjedhur para dhe stoli ari në vlerë prej 7,418 euro, në shtëpinë e të dëmtuarit, Muhamet Lushaj.

Gjykatësja e rastit, Diana Sina tha se të akuzuarit në afatin ligjor të paraparë nuk i kanë paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Të njëjtit më 6 shtator 2018 në seancën fillestare ishin deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë, për çka Gjykata e kishte caktuar shqyrtimin e dytë, i cili kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së dy nga katër të akuzuarit.

Të akuzuarit në shqyrtimin e dytë të mbajtur të enjten janë deklaruar se nuk i kanë paraqitur kërkesat e tyre për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke shtuar se këtë do ta bëjnë në shqyrtimin kryesor.

Më pas, gjykatësja Sina seancën e shqyrtimit kryesor e ka caktuar që të mbahet më 12 dhjetor 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, në seancë kanë qenë të pranishëm, i dëmtuari Muhamet Lushaj dhe prokurori Bajram Kryeziu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Hil Memaj, Getoarbër Mulliqi, Nderim Curri dhe Sinan Kameri, po akuzohen se më 4 shkurt 2015, në rrugën “Gjon Buzuku”, në Gjakovë, në shtëpinë e të dëmtuarit, Muhamet Lushaj, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, në bashkëkryerje ia marrin pasurinë të dëmtuarit Lushaj.

Siç thuhet në aktakuzë, në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin e volitshëm kur askush nuk gjendej në shtëpi, të pandehurit e kanë hapur më forcë dritaren e shtëpisë, depërtojnë brenda në shtëpi, përkatësisht në dhomën e fjetjes dhe aty marrin portofolin e të dëmtuarit me para në shumën prej 535 eurosh dhe stoli ari nga çanta e vajzës së të dëmtuarit, në vlerë prej 6,220 eurosh, pastaj e thyejnë derën dhe nga aty largohen në drejtim të panjohur.

Sipas aktakuzës, me këto veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në shumën e përgjithshme prej 7,418 euro.

Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë” nga neni 327 parag.2 pika 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.