Të akuzuarit për shpëlarje parash, narkotikë dhe armëmbajtje pa leje kërkojnë hudhjen e aktakuzës, prokuroria kërkon vërtetimin e saj

unnamed
Author

Raporton: Egzon HALILI

Dhjetor 6, 2019

Prishtinë – Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është mbajtur shqyrtimi i dytë ndaj shtatë të akuzuarve për veprat penale “shpëlarje e parasë”, “blerja, posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, dhe armëmbajtje pa leje, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa, Shpejtim dhe Flamur Hamiti.

Në seancën e së premtes, shtatë të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre, kanë kërkuar hedhjen poshtë të kësaj aktakuze.

Të akuzuar në këtë çështje penale ka qenë edhe zyrtari policor, Bunjamir Jaha, i cili ishte dënuar me tre vjet burgim, si dhe Pajtim Hamiti, i dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim, ndaj të cilëve ishte veçuar procedura, pasi në seancën fillestare të mbajtur më 6 nëntor të këtij viti, ata e kishin pranuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i akuzuari Shpejtim Hamiti, e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar për veprën penale të narkotikëve, ndaj tij tani vazhdon gjykimi vetëm për veprën penale “shpëlarje e parasë”.

Po ashtu, gjatë shqyrtimit fillestar fajësinë e kishte pranuar edhe i akuzuari Bashkim Braha për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, ndërsa ndaj tij, vazhdon gjykimi vetëm për veprat penale “shpërlaje e parasë” si dhe për narkotikë.

Në këtë seancë, mbrojtësi i  të akuzuarit Shpejtim Hamiti, avokati Islam Musa deklaroi se mbetet pranë kërkesës për hedhje të aktakuzës tij, me arsyetimin se nuk ka asnjë provë që tregon dyshimin e bazuar që ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kërkesë të ngjashme për hedhjen e kësaj aktakuze kanë paraqitur edhe mbrojtësit e tjerë të të akuzuarve, avokatët Avni Ibrahimi, Rafiz Shehu, Editë Shahini, Ahmet Ahmeti, Fitim Shabani dhe Ekrem Shabani.

Këto kërkesa, i ka kundërshtuar prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Atdhe Dema, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtat t’i refuzojë si të pabazuara.

Më pas, prokurori Dema ka shtuar se provat që i janë bashkëngjitur kësaj aktakuze dëshmojnë në mënyrë të qartë se të akuzuarit në të njëjtën kohë, vend dhe mënyrë kanë kryer veprat që u ngarkohen.

Në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, ka aprovuar kërkesën për zëvendësimin e masës së paraburgimit, me atë të arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve Shpejtim Hamiti dhe Bashkim Braha, ndërsa ka refuzuar që kjo masë t’i zëvendësohet të akuzuarit Flamur Hamiti.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 31 maj 2019, të akuzuarit Bunjamir Jaha, Shpejtim Hamiti, Flamur dhe Pajtim Hamiti, si dhe Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi, nga 16 maji e deri me 7 tetor 2018, në Ferizaj, Kaçanik dhe fshatrat të këtyre komunave kishin transportuar dhe shitur substanca narkotike të llojit kokainë dhe kanabis.

Këta të akuzuar, sipas PSRK-së, sipas marrëveshjes paraprake, duke i ndarë rolet, ishin furnizuar nga Republika e Shqipërisë, pasi i akuzuari Bunjamir Jaha, ishte ndaluar për kontroll në “Vërmicë”, dhe i është gjetur në automjetin e tij “Audi A4”, kokainë në sasi 549,44+0.0001 gramë.

Ndërsa, në banesën në Ferizaj, të cilën të akuzuarit e kishin marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën e kishin shfrytëzuar për të ushtruar veprimtari kriminale, policia kishin sekuestruar kokainë në sasi prej 2+0.0001 gramë, si dhe substanca-preparati kanabis, marihuanë, në sasi 5.54+0.0001 gramë, si dhe peshore dhe aksesorë tjerë, të cilat iu kishin shërbyer për matjen, renditjen, ndarjen dhe sistemimin e këtyre narkotikëve.

Për këto veprime, PSRK të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

I akuzuari Bashkim Braha, po akuzohet se nga data e pacaktuar e deri me 7 tetor 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Stogovë” në Komunën e Kaçanikut, në mënyrë të paautorizuar kishte mbajtur në posedim armën “Zastava M-57”, e kalibrit 7.62 mm. Me një karikatorë dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62, një revole e kalibrit 6.32 mm me një karikatorë dhe 4 fishekë, 41 fishekë të kalibrit 7x64mm si dhe 6 fishekë të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12mm.

PSRK të akuzuarin Braha po e ngarkon me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I akuzuari Arburim Ahmeti po akuzohet se me 29 shtator 2018, në shtëpinë e tij në fshatin “Greme”, në Ferizaj, kishte pranuar nga i akuzuari Shpejtim Hamiti narkotikë në peshë 7.6 gram, të cilën e kishte vendosur në figurat e shahut, me qëllim që së bashku me tabelën e shahut ta dërgojë në qendrën korrektuese në Dubravë, tek Meriton Aliu i cili kishte qenë në vuajtje të dënimit.

Në aktakuzë thuhet se kjo sasi e fshehur në figura së bashku me tabelën e shahut, ishin sekuestruar në banesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, ku pas ekzaminimit kishte rezultuar 5.54+0.0001 gramë substancë/preparat narkotik kanabis (marihuanë).

Edhe të akuzuarin Arburim Ahmeti, PSRK po e ngarkon me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shpejtim Hamiti nga 18 tetor 2016, e deri me 29 qershor 2018, kishte bartur te xhirollogaria e të akuzuarit Ardonit Mustafa, 36,875.00 euro, për të cilat të ardhura nuk kishte prova se ishin nga një aktivitet i rregullt ekonomik.

Ai në marrëveshje me të akuzuarin Shkumbin Berisha kishte bartur të xhirollogaria e tij në Bankën Ekonomike 7,000 euro, për të cilat nuk kishte pasur prova të fitimit në mënyrë ligjore, pasuri e fituar nëpërmjet veprimtarisë së kundërligjshme të trafikimit me narkotikë dhe shndërrimin e një pjese të të ardhurave në automjete.

Kështu, sipas PSRK-së i akuzuari Shpejtim Hamiti përmes të akuzuarve të tjerë kishte përdorur të ardhurat nga aktivitete e dyshuara, ku nga veprimtaria e trafikimit të narkotikëve kishte përfituar 75.500 euro, si dhe kishte përfituar edhe dy BMË, ku njëra veturë ishte qenë e regjistruar në emër të të akuzuarit Shkumbin Berisha.

Sipas PSRK-së, i akuzuari Shkumbin Berisha kishte pranuar 7.000 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, para të cilat dyshohen se ishin fituar nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë të të akuzuarit Shpejtim Hamiti, automjetin BMË me vit prodhimi 2008 e kishte doganuar dhe regjistruar në emër të tij.

Shumën prej 36,875.00 euro nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, sipas PSRK-së, e kishte pranuar edhe i akuzuari Ardonit Mustafa.

I akuzuari Bashkim Braha, sipas aktakuzës, nga 12 shtatori 2016, kishte në pronësi automjetin “IMT 539”, me vit të prodhimit 2009, si dhe nga 12 shtatori 2017 kishte në përdorim automjetin “Audi A4”, vit i prodhimit 2008, e regjistruar në emër të motrës së tij, ku sipas prokurorisë kishte prova se të njëjtat ishin blerë nga veprimtaria e kundërligjshme e trafikimit me narkotikë.

PSRK, të akuzuarit Shpejtim Hamiti, Shkumbin Berisha, Ardonit Mustafa dhe Bashkim Braha po i ngarkon me veprën penale “shpëlarje e parasë”. /BetimipërDrejtësi