TË AKUZUARIT NUK E PRANOJNË FAJËSINË PËR LËNDIM TË LEHTË TRUPOR

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Të akuzuarit Uzeyir Igciler, Safet Igciler, Valmir Ponik, Valbon Sezallari dhe Besnik Krasniqi, të enjten, janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prizren, nën akuzën se së bashku kanë rrahur të dëmtuarin Ymer Turtulla.

Të akuzuarit nuk kanë pranuar veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, me të cilën i ngarkon aktakuza e përfaqësuar nga prokurorja Merheme Hoxha.

I akuzuari Safet Igciler, përfaqësohej nga avokati, Brahim Sopa, ndërsa të akuzuarit tjerë kanë vendosur që të mbrohen vetë nga akuza që u ngarkohet.

Të akuzuarit dhe avokati Brahim Sopa kanë paralajmëruar se deri në shqyrtim të dytë, do të paraqesin kundërshtimin e provave dhe do të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Gjyqtari i rastit, Luan Berisha, ka caktuar shqyrtimin e dytë për 31 gusht 2016, në ora 09:30.

Në këtë seancë ka marrë pjesë edhe përkthyesi i gjykatës, për gjuhën turke, Fejzullah Shatri, pasi që të akuzuarit Uzeyir dhe Safet Igcilar ishin të nacionalitetit turk.

Rasti zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila pretendon se të pandehurit me 13 gusht 2015, së bashku, pas një konflikti verbal me të dëmtuarin, e rrahin atë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Të akuzuarit, në bazë të veprës penale për të cilën akuzohen, sipas Kodit Penal, rrezikojnë të dënohen me gjobë apo me burgim deri në një vit.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë