Të akuzuarit nuk e pranojnë fajësinë për lëndim të lehtë trupor, kërkohet pushimi i procedurës për shkak të parashkrimit

Foto - rasti Kreshnik Shala etj.
Author

Raporton: Arrita REZNIQI

Nëntor 8, 2018

Prishtinë – Në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi katër të akuzuarit, Kreshnik Shala, Daut Hajrullahu, Rinas Sinani dhe Ilir Tasholli, u deklaruan të pafajshëm për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, u kërkua pushimi i procedurës për shkak të parashkrimit absolut.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Hamiti, të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për akuzat që i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, lidhur me rastin në fjalë, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Valon Sadiku deklaroi se ka arritur parashkrimi absolut.

“Lidhur me klientin tim, në rastin konkret është arritur parashkrimi absolut, prandaj i propozoj gjykatës që lidhur me këtë pikë të aktakuzës, këtë të fundit ta hedhë dhe ndaj klientit tim të pushojë procedura penale”, tha avokati Sadiku.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli tha se lidhur me këtë çështje do të marrë vendim jashtë seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Ndëraq, për Ilir Tashollin, prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për shfrytëzim të paautorizuar të armëve, andaj për këtë pikë të aktakuzës, gjykatësi Ismajli, e udhëzoi të akuzuarin Tasholli lidhur me veprimet procedurale që mund t’i ndërmerr dhe afatet që duhet t’i respektojë.

Seanca e radhës, lidhur me veprën penale të armëmbajtjes, ku akuzohet Ilir Tasholli, u vendos që të mbahet më 11 dhjetor 2018, nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 mars 2015, Kreshnik Shala, Daut Hajrullahu dhe Rinas Sinani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4, të Kodit Penal të Kosovës (KPK), lidhur me nenin 31 të KPK–së.

Prokuroria pretendon se më 9 dhjetor 2013, në rrugën “Lidhje e Prizrenit”, prapa kafiterisë “RUM CAFE” në Lipjan, i akuzuari Kreshnik fillimisht kishte telefonuar të dëmtuarin Ilir Tasholli, me qëllim që të bisedonin për një mosmarrëveshje në mes tyre, ku menjëherë kanë filluar të përleshen fizikisht.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, në bashkëveprim kanë filluar ta sulmojnë të dëmtuarin Ilir, në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të dëmtuarit Ilir Tasholli i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Ilir Tasholli, në kohën dhe vendin e lartcekur, me qëllim të shkaktimit të lëndimit trupor gjatë përleshjes fizike, duke përdorur mjet të fortë, të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor–shufër metalike, ka goditur të dëmtuarin Rinas Sinani, në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtit i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këtë, sipas aktakuzës, ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi. 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 1.4 të KPK–së.

Prokuroria e ngarkon Ilir Tashollin edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, nga neni 375, paragrafi 1 i KPPK–së.

Kjo sepse, siç thuhet në aktakuzë, Ilir Tasholli, në kohën dhe vendin e lartcekur, ka përdorur me qëllim të frikësimit, revolen e tipit “Kolld”, në atë mënyrë që ia ka drejtuar të dyshuarit Kreshnik, por më pas e njëjta revole i kishte rënë nga dora dhe nuk e di se kush e ka marrë atë, pasi që revolja nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. /Betimipërdrejtësi