Të akuzuarit mohojnë të kenë vjedhur pajisje pune të kompanisë “Bechtel-Enka”

Foto 15.05.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Maj 15, 2019

Malishevë – Të akuzuarit për vjedhje të rëndë, Besnik Xhaha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enis Gashi, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për veprën penale e cila u vihet  në barrë.

Por, pasi të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjykatësi i çështjes Njazi Morina, ka marrë vendim që seanca e së mërkurës të ndërpritet dhe të shtyhet më 10 qershor 2019, në ora 13:00, dhe për dëshmitarë të ftohen Agron Zogaj dhe Zymer Zogaj, si dhe e dëmtuara, kompania “Bechtel-Enka”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 19 dhjetor 2014, të akuzuarit Besnik Haxha, Adnan Mitrovica dhe Besim Krasniqi, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 253, paragraf 1, pika 1, lidhur me nenin 23, të KPPK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit më 19 shtator 2012, rreth orës 03:30, në fshatin Lladroc, Komuna e Malishevës, me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm, kanë shkuar në vend-punishten e të dëmtuarës, kompanisë “Bechtel-Enka”, duke hapur me forcë kontejnerin afër trasesë së autostradës, dhe kanë vjedhur një “hilt”, dhe 10 teh sharre “diamant”, të vlerës 3.850 euro, dhe largohen në drejtim të panjohur. /Betimipërdrejtësi