Sveçla: “Operacioni i sotëm nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti”

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media lidhur me aksionin e sotëm policor ka thënë se ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Sipas tij, ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve të cilët kanë kontrabanduar mallrat ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.

“Prokurori i rastit është serb, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica absolute serbe, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë, kështu që nuk bëhet fjalë për represion shtetëror ndaj askujt. Askush nuk mund të jetë ombrellë e veprimeve kriminale”, tha ministri Sveçla.

Ai tha se është e rëndësishme të theksohet fakti se është një shërbim aleat që ka iniciuar këtë rast dhe për këtë kanë qenë të koordinuar me bashkëpunëtorët më të ngushtë ndërkombëtarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Se ky operacion nuk është i drejtuar kundër serbëve, Sveçla tha se pronari i barnatores ku ka pasur kontrabandë të nivelit më të lartë dhe ku hetuesit policorë bashkë me doganierë janë sulmuar është shqiptar, i cili është në kërkim, andaj sipas tij, nuk mundet as Vuqiq dhe as askush tjetër ta mbrojë Besim Zeqirin, nga ligji i Republikës së Kosovës.

“Pse barnatorja ka qenë 20 metra anej ose knej, është absolutisht irelevante dhe ne nuk i pranojmë këto lojëra, ne do vazhdojmë me zbatimin e ligjit kudo në Kosovë dhe ndaj çdo shkelësi të ligjit do të merren masa ligjore”, ka thënë tutje Sveçla.

Ndryshe, lidhur me atë se ka pasur barrikadë rrugës për në Zubin Potok, ministri Sveçla tha se ajo barrikadë nuk është më, kurse për bllokim të rrugës në drejtim të Leposaviqit, tha se ende nuk kanë informatat e konfirmuara për gjendjen momentale atje. /Betimi për Drejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë