Sveçla i bën sërish thirrje dorasit të dorëzohet: Jemi mobilizuar si asnjëherë më parë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i ka bërë thirrje sërish autorit të krimit në Gllogjan, që të dorëzohet para organeve të drejtësisë, ndërsa thekson se institucionet janë mobilizuar si asnjëherë më parë për zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti dhe kapjen e dorasit apo dorasve.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla bëri thirrje që nëse ka pasur bashkëpunëtorë në këtë krim, të lajmërohen dhe dorëzohen në polici.

Ai ritheksoi se kushdo që e ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës, kurse apeloi sërish tek qytetarët që nëse kanë ndonjë informacion në lidhje me rastin, të bashkëpunojnë me institucionet relevante.

Postimi i plotë i minisrit Sveçla:

“Të dashur qytetarë,
Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç’rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë.
Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet.
Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës. Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve.
Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar”.
Mbrëmjen e së premtes, nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të autobusit, mbetën të vrarë tre persona dhe një është plagosur. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë