Suspendohet nga puna u.d i drejtorit të Spitalit të Ferizajt, i cili u arrestua nën dyshimin për korrupsion
Raporton: “Betimi për Drejtësi”
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se është larguar nga puna përkohësisht U.D i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, Halit Gërbeshi, i cili është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se i njëjti ka përdorë naftën e spitalit për makinën e tij private.
ShSKUK njofton se ky vendim është marrë pasi i dyshuari është ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës informon opinionin se pas njoftimit për ndalimin e Dr. Halit Gërbeshit U.D. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj prej 48 orësh nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i njëjti është larguar përkohësisht nga puna, konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të Spitalit në Ferizaj do t’i kryejë drejtori mjekësor i spitalit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, të premten njoftoi lidhur me arrestimin e të dyshuarit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.